Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Hapja e dosjeve të spiunëve, amendament kundër Metës

TIRANË, 21 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për miratimin nga Kuvendi të ligjit për dosjet e spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ai e konsideron ligjin si amendament kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Hapja e debatit për ligjin e gjahut të shtrigave kundër Ilir Metës. Ai është amendament kundër Metës. Ne menduam se do kthejë ligjin e lustracionit, sepse çdo i përndjekur dhe shoqëria kërkon që ata që kanë kryer krime, të mos jenë në poste. Kjo është pritshmëria e ligjshme. Pikërisht këtë nuk pranon Edi Rama. U zotua se kjo nuk do ndodhë kurrë. Kështu që ne, kemi dorëzuar këtë ligj me disa ndryshime. Ne nuk jemi kurrë për gjah shtrigash, të bësh një ligj për vetëm një njeri. Nuk jemi kurrë për shkatërrimin e sigurisë juridike, kur nuk njeh vendimet e dy komisioneve të mëparshme, në një kohë kur ato nuk mund të anulohen me asgjë tjetër, përveçse me gjykatë. Ato atakohen në gjykatë.Se nëse vazhdojmë praktikë gangsterësh si këta, ju garantoj se nesër mund të kalojnë një nen tjetër për pronën, për pasuritë private, për aktivitetet private. Nuk ka shtet në botë që bën diçka të tillë, përveç juntave”, tha ai.

Berisha tha se ligji nuk ka dhe nuk do të ketë lustracion.

“Në fjalën e tij mbrëmë Edi Rama, nxori thelbin e çështjes. Nuk ka dhe nuk do ketë lustracion. Ai përdori një amendament si alibi, por në thelb vetëm për të mos lejuar lustracionin. Ka tri praktika, një praktikë është hapja e dosjeve dhe secili shkon dhe njihet me dosjen e tij, praktikë gjermane kjo. Ekziston sot në Shqipëri me disa modifikime. Ekziston një praktikë e dytë, e para nuk ka dekomunistizim, ka një praktikë tjetër, e cila është aplikuar në shumicën e vendeve ish-komuniste, që quhet praktika e lustracionit”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version