Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Objektivi ynë, këshillat bashkiakë

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se në zgjedhjet lokale PL do t’i kërkojë shqiptarëve të ndëshkojnë kandidatët e “Rilindjes”.

“Do t’i kërkojmë shqiptarëve të ndëshkojnë kandidatët e ‘Rilindjes’ për këtë shpërdorim total që i kanë bërë pushtetit vendor që e kanë pasur 100 % të tyre me kryetar dhe në këshilla. Ky është mesazhi ynë, sepse ndëshkimi është shumë i rëndësishëm edhe për atë që do të vijë nesër, të opozitës. Mesazhi i Partisë së Lirisë është shumë i qartë ndëshkim për këtë katastrofë menaxhimi të rilindjes”, tha ai.

“Ndëshkim për të gjithë këtë katastrofë menaxhimi të pushtetit vendor gjatë këtyre 4 viteve nga rilindja. Çdo forcë politike do punojë si forcë politike për këshillat për të tjerat mesazhi është i qartë”, u shpreh Meta.

Për aleancën me PD në zgjedhjet e ardhshme, Meta tha se, “Aleanca e Ilir Metës është me qytetarët e Shqipërisë. Për sa i takon problemeve të brendshme të Partisë Demokratike jam përpjekur që t’i zgjidh ato prej shumë kohësh në interes të vendit”.

Meta u shpreh se, ka qenë ai që e ka nxjerrë nga çadra PD-në.

“Nuk dua të hyj më tej në çështjet e brendshme të PD. Ne kemi raportin tonë me qytetarët e Shqipërisë, e kemi me demokracinë, me luftën kundër korrupsionit dhe oligarkëve”, tha Meta.

I pyetur për emrat e kandidatëve të mundshëm, Meta tha se, “nuk mund të hyj unë në çështje emrash se nuk është përgjegjësia ime emri. Unë vlerësimet e mia mund t’i kem për cilindo, por nuk hyj dhe nuk ndikoj në këto çështje kur përgjegjësinë e ka marr një lider tjetër. Kjo çështje ka përfunduar për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”.

“Objektivi ynë në këto zgjedhje janë këshillat dhe do t’i kthejmë në parlamente lokale”, theksoi Meta.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version