TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë shpalli sot vendin vakant për anëtar bordi të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), pas përfundimit të mandatit të njërit prej anëtarëve.
Kuvendi i Shqipërisë, publikoi kriteret ligjore, që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtar të Bordit te Entit Rregullator të Energjisë (ERE), të parashikuara në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.
“Anëtar i Bordit te Entit Rregullator të Energjisë (ERE) mund të emërohet çdo shtetas shqiptar, i cili ka jo më pak se 10 vjet eksperiencë pune, prej të cilave të paktën 5 vjet duhet të jenë eksperiencë në sektorin energjetik, si dhe të jetë me profesion jurist”, thuhet në publikimin e Kuvendit.
Afati i dorëzimit të dokumentacionit është deri më 4 nëntor 2022.
/r.e/
