Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tabaku: Protesta e pedagogëve e drejtë

TIRANË, 4 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se e mbështet protestën e pedagogëve për rritjen e pagave.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha se protesta e tyre është e drejtë, sepse merr parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

“Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet janë rritur me 14%-30%. Karburanti është rritur. Arsimi ka qenë një nga sektorët më të nënfinancuar dhe sa herë që qeveria ka nevojë për fonde për koncesione dhe PPP burimi kryesor ku i merr këto fonde është shkurtimi i fondeve për arsimin”, tha ajo.

Tabaku shtoi se “nga viti 2017 ku një vendim i Kryeministrisë u cakton nivelin e pagave, pjesa më e madhe e të gjithëve pati një ndryshim në pagat e tyre, gjë që kjo nuk ka ndodhur për pedagogët”.

“Sot pedagogët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështirë. Me dështimin e reformës në arsim ata sot janë lënë, pothuajse në mëshirë të fati ku i duhet të sigurojnë vetë fondet edhe për mbarëvajtjen e universitetit. Ata sot konkurrojnë në një treg të lirë sikur janë byrektore me universitete private dhe nga ana tjetër kanë një mbështetje minimale qoftë për kërkimin shkencor, për punimin e doktoraturave për pagesat të cilat duhen për kërkimet shkencore për të publikuar në universitete ndërkombëtare dhe shumë aktivitete të tjera”, tha ajo.

“Nëse nuk investojmë sot në arsim, nesër do të jetë shumë vonë. Ashtu siç është vonë dhe sot. 30 mijë studentë më pak ka patur këtë vit. Sot kemi klasa që janë të braktisura dhe kjo ka ndodhur si rezultat i mungesë së vëmendjes në arsim dhe kryesisht në ato universitare. Sot të rinjtë largohen masivesh dhe arsyeja kryesore pse largohen është arsimi. Janë mundësitë pakta që ata kanë. Sot qeveria shqiptare duhet të kishte investuar në lidhje me tregun e punës me universitetet, në përmasimin e kushteve dhe cilësisë së universiteteve. Në ngritjen dhe përmasimin e infrastrukturës të universiteteve, por ajo që është më e rëndësishmja për t’i mbajtur më të talentuarit këtu, pedagog të rinj e të vjetër që sot po shohin si alternativë largimin”, tha Tabaku.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version