Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sejko: BSH, çdo veprim për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në konferencën me temë “A është rikthyer inflacioni dhe në cilën formë?” të mbajtur pranë Institutit të Studimeve të Larta, Gjenevë, Zvicër.

I ftuar në panelin me temë “Sa global është inflacioni?”, Sejko tha se inflacioni i lartë aktualisht është një fenomen global, pasi faktorët, rreziqet dhe sfidat janë të ngjashme në të gjitha vendet.

Fillimisht, guvernatori nënvizoi se globalizimi i avancuar ka rritur ndikimin e ndërprerjeve të furnizimit si ato të vërejtura kohët e fundit, veçanërisht nafta, gazi dhe energjia.

Rrjedhojë e globalizimit është dhe ky mjedis me inflacion të lartë ushqyer gjithashtu nga kursimet e akumuluara gjatë bllokimeve të pandemisë, ndërsa konflikti Rusi – Ukrainë rriti paqëndrueshmërinë, pasigurinë dhe zvogëloi ofertën.

Guvernatori Sejko u ndal më tej dhe në zhvillimet e ekonomisë shqiptare. Ekonomia u rikuperua shpejt nga goditjet negative të shkaktuara nga bllokimet dhe kufizimet ekonomike të lidhura me pandeminë, brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë ndryshoi rrënjësisht pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe perspektivën ekonomike, dhe çoi në rritje të inflacionit, nga 0.9% në tremujorin e parë të 2021 në një normë mbi objektivin prej 3.1% në tremujorin e fundit të 2021.

Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet politikës monetare duke rritur normat e interesit 3 herë deri tani nga niveli më i ulët prej 0.5% në shkurt 2022 në 1.75% në gusht 2022, për të drejtuar pritjet inflacioniste dhe për të siguruar konvergimin e inflacionit me objektivin, brenda një perspektive afatmesme.

Në vijim, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare në Bankën e Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë të drejtohet nga tre parime.

Së pari, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë çfarëdo veprimi që kërkohet për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit.

Po ashtu, pa cenuar stabilitetin e çmimeve, BSH do të përpiqet të shmangë goditjet e panevojshme monetare të aktivitetit ekonomik, gjë që do të kërkojë një analizë të kujdesshme të prirjeve të çmimeve duke marrë parasysh kohëzgjatjen e gjatë të mekanizmit të transmetimit.

Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të përpiqet të bashkërendojë politikën monetare me politikën fiskale.

Së fundi, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e kujdesshme për shëndetin e sistemit bankar dhe financiar duke u fokusuar në mbikëqyrjen bankare dhe në ndërmarrjen e politikave proaktive.

Konferenca e organizuar për të dhjetin vit radhazi në kuadër të programit BCC (Bilateral Assistance & Capacity Building for Central Banks) të shtetit zviceran, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes pjesëmarrësve, të cilët përfaqësojnë bankat qendrore të vendeve partnere të këtij programi.

Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore të tilla si: Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Kolumbia, Maroku, Peruja, Tunizia, Ukraina dhe Shqipëria, si dhe nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare e bota akademike.

Diskutimet e kësaj konference u përqendruan në çështje të tilla, si: ndryshimi i ecurisë së inflacionit, roli i bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndikimi i konfliktit në Ukrainë në zinxhirët e furnizimit në ekonomi. Konferenca shqyrtoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në trajtimin e këtyre situatave të reja.

Bankat qendrore, deri në vitin 2021, punonin për të mbajtjen e inflacionit në një nivel mesatarisht të lartë. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe strukturën e konsumit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia së bashku me ndikimin e konfliktit në Ukrainë në çmimet e mallrave, kanë çuar në rritjen më të lartë të inflacionit që prej tre dekadash.

Kjo bën që misioni kryesor i bankave qendrore, ruajtja e stabilitetit të çmimeve, të marrë një vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst, ruajtja e besueshmërisë së tyre është e lidhur me aftësinë për të mbajtur inflacionin nën kontroll.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version