TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se, gjatë aksionit të policisë me agjentë të infiltruar te Spitali Universitar i Traumës në Tiranë, përveç mjekut anestezist Fitim Marku, në pranga kanë rënë edhe një kolege e tij mjeke dhe një infermiere.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, “sot më datë 23.09.22, pas një pune hetimore disajavore me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacionit policor ‘Skaneri’.
Nga veprimet hetimore të kryera për llogari të procedimit penal, u kap në flagrancë dhe u bë shoqërimi në ambientet e drejtorisë vendore të policisë Tiranë, i shtetasve F.M., me profesion mjek reanimator; K.B me detyrë infermiere dhe S.B., me detyrë mjeke”.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se këta shtetas, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë.
Prokuroria sqaron se hetimi ka vijuar për disa javë dhe rezulton se këta punonjës të spitalit merrnin shuma të konsiderueshme parash në formë ryshfeti nga pacientët.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Spitali Universitar i Traumës.
Në një njoftim për medie SUT thekson se “nisur nga ngjarja e sotme e ndalimit të mjekut me inicialet F.M, Spitali Universitar i Traumës inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët”.
“Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve. Garantojmë qytetarët se, në Spitalin Universitar të Traumës nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet në asnjë moment shërbimi për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor”, thuhet në njoftimin e SUT-së.
/r.e/
