TIRANË, 19 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi sot se viti i ri mësimor nisi me dështimin e programit të rindërtimit të shkollave.
Në një deklaratë përpara Ministrisë së Arsimit, Vokshi tha se arsimi parauniversitar ka probleme të mëdha.
“Kemi mijëra nxënës më pak. Dhjetëra shkolla që nuk i kanë hapur dyert e tyre. Qindra klasa kolektive, dhjetëra mijëra nxënës të cilët mësojnë me dy ose tre turne. Një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor në sistemin arsimit parauniversitar jam kontaktuar, jam takuar me dhjetëra prindër, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës apo në bashki të tjera. Prindër të cilët janë detyruar që të lenë punët e tyre paradite sepse duhet që të mbajnë fëmijët që nuk mund të shkojnë në oraret e zakonshme në mësim. Prindër të cilët janë të detyruar që orët e vona të pasdites, pra në orën 7 por edhe 8, janë të detyruar që të presin fëmijët e tyre që dalin nga mësimi shumë të lodhur në atë orë të mbrëmjes. Prindër të cilët sjellin më pak të ardhura sepse i kanë lënë punët për të mbajtur fëmijët e tyre sepse qeveria ka dështuar që të sigurojë masat e duhura për një mbarëvajtje të mirë të mësimit të fëmijëve”, tha ajo.
Vokshi theksoi se programi i rindërtimit të shkollave është një dështim i kësaj qeverie.
“3 vjet nga tërmeti dhjetëra shkolla nuk i kanë hapur dyert e tyre këtë vit të ri shkollor pavarësisht premtimeve pompoze të Edi Ramës. Iku 2020, 20221, në 2022 për shkak të abuzimit, korrupsionit dhe aferave të kësaj qeverie, shkollat nuk kanë mundur t’i hapin dyert e tyre. Jo vetëm që nuk i kanë hapur ato që janë shembur apo nuk ka përfunduar rikonstruksionin. Por nëse shohim shkollën Emin Duraku në qendër të Tiranës, nuk është hapur këtë vit të ri shkollor. Asnjë nga prindërit e rreth 1 mijë nxënësve që mësojnë në atë shkollë nuk e dinë pse është marrë ky vendim. 3 vite fëmijët kanë mësuar, mësuesit kanë dhënë mësim në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë normale. Shkolla u rikonstruktura pas tërmetit, sot është marrë vendimi që kjo shkollë të shembet. Për 3 vite nxënësit dhe mësuesit kanë shkuar në një shkollë që ka qenë e pasigurt, që kishte rrezik shembje apo sot shembet për një aferë të caktuar ashtu sikurse dhe banorët rreth shkollës dyshojnë që shembja e shkollës ka lidhje me ndërtimin e një pallati ngjtur me shkollën”, tha ajo.
Vokshi shtoi se sipas informacioneve që kanë ardhur në Partinë Demokratike 21 shkolla në Durrës nuk i kanë hapur dyert e tyre.
“Shkolla që janë shembur ose nuk e kanë nisur ndërtimin fare apo nuk kanë mundur të rindërtohen. Mund të përmend shkolla e mesme Naim Frashëri, shkolla e mesme Gjergj Kastrioti. Shkolla e mesme Olsi Lako, shkolla 9-vjeçare Elefteri Koçi, shkolla 9-vjeçare 14 Nëntori, shkolla e mesme e bashkuar Rexhep Mezineshishëm, shkolla 9-vjeçate Eva Darë Sukth, e kështu me radhë 21 shkolla që janë rreth 15 mijë nxënës dhe qindra e mijëra mësues të cilët detyrohen që të shkojnë në 3 shkolla shumë larg disa kilometra me transport të pasiguruar edhe në kushtet e tyre minimale”, tha ajo.
Po ashtu Vokshi tha se në Kamzë janë 8 shkolla që nuk i kanë hapur dyert e tyre.
“Fëmijët mësojnë në 2 ose 3 turne, sigurishtë që ora e mësimit nuk është më 45 minuta. Me fondet e rindërtimit po riparohen disa shkolla që janë ndërtuar me fondet e bankës botërore më parë apo në qeverinë Berisha. Po kostoja e rindërtimit të tyre, jo kostoja e ndërtimit është 200 për qind më e lartë se ajo e ndërtimit fillestarë të tyre. As transporti nuk u është siguruar fëmijëve sipas denoncimeve që kanë bërë prindërit. Shkollat në Kamëz që nuk i kanë hapur dyert janë shkolla Demokracia, nxënësit kanë shkuar tek shkolla Niko Hoxha në Kamzë. Shkolla Gramoz Palushi në Paskuqan që ka shkuar tek shkolla Bajram Curri në Tiranë. Shkolla Azem Hajdari në Paskuqan, nxënësit kanë shkuar tek Vllazërimi. Shkolla Lidhja e Prizrenit në Paskuqan nxënësit kanë shkuar tek shkolla Isa Boletini. Pra kanë bashkuar edhe fëmijë të klasës parë, të klasës dytë me klasa më të larta të mesme. Shkolla Ibrahim Basha ka shkuar tek Ali Çoka në Bathore, shkolla Hilari Klinton në Kamëz tek shkolla e re Fruti Kulturë”, tha Vokshi.
Një problem tjetër sipas, Vokshit janë turnet e dyta, turnet e treta, ora e mësimit e shkurtuar.
“Po shpërndarja nëpër shkolla shumë larg vendbanimit, turnet e dyta, turnet e treta, ora e mësimit e shkurtuar ka sjellë një ulje alarmante të cilësisë së mësimdhënies. Po në Rrogozhinë shkollat 9-vjeçare nuk janë hapur, qindra nxënës mësojnë me 2 ose 3 turne. Por ajo çfarë është më e trishtë është se në fshatra shumë shkolla janë mbyllur. Pse? Sepse nuk kanë mbetur më fëmijë në fshatra. Problemi i kësaj qeverie nuk janë vonesat për shkak të një arsye apo të një arsye tjetër. Është korrupsioni, por më së shumti është urrejtja që kjo qeveri ka ndaj edukimit, ka ndaj arsimit, ka ndaj mësimdhënies”, tha ajo. /j.p/
