TIRANË, 19 shtator /ATSH/ “Për britanikët ajo ishte Mbretëresha e tyre, për të gjithë ne ajo ishte Mbretëresha”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në televizionin amerikan Newsmax, në emisionin “Wake Up America”, i pyetur në lidhje me eksperiencën në takimin që ka pasur 3 vite më parë me mbretëreshën Elisabeta II në 70-vjetorin e NATO-s.
Rama u shpreh se, “ishte një pritje e madhe në Pallatin e Buckingham, ishte e paharruar për mua dhe jam i sigurt edhe për gjithë të tjerët, por do të thoja që nuk mund ta them më mirë sesa e ka thënë presidenti francez. Për britanikët ajo ishte Mbretëresha e tyre, për të gjithë ne ajo ishte Mbretëresha. Kështu që është një ndjenjë mjaft e fortë në mbarë botën. I prek të gjithë, sepse ishte paksa njësoj si Mbretëresha e të gjithëve. E ndërkohë që britanikët kanë tashmë Mbretin, ne nuk kemi Mbretëreshën”.
I pyetur nëse ishte i tensionuar përpara asaj përvoje, pasi ish-presidentë amerikanë kanë thënë se ishte hera e vetme që ata ndiheshin të tensionuar kur do takoheshin me Mbretëreshën, Rama theksoi se, “po, duhet të ishin të tensionuar, sepse duhet të ishin audiencë me të, duhet të shpenzonin kohë me të, por nuk ishte rasti im ky. Unë mund të fshihesha pas aleatëve të tjerë të NATO-s dhe edhe pse jam i gjatë, mund ta shmangia këtë tensionim”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili do të mbledhë së bashku liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat dhe të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog, në qytetin e Nju-Jorkut, për një periudhë kohe dyjavore.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres, së bashku me liderë të tjerë pjesëmarrës, si dhe zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të lartë të OKB, liderë, politikanë dhe personalitete të fushave të ndryshme. Kryeministri do të marrë pjesë në disa aktivitete në kuadër të punimeve të Asamblesë, si Samiti i Transformimit të arsimit, debati me temë “Zgjidhje transformuese për sfidat e ndërlidhura”, apo eventi “Sfidat dhe përgjigjet e shumë palëve ndaj paqes, sigurisë dhe krizës klimatike.”
Kryeministri Rama, i cili në këtë vizitë është së bashku me ministren për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka, do t’i adresohet Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB me një fjalë.
/r.e/
