TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Në Ditën Botërore të Pastrimit, ekipet rajonaleve të Drejtorisë së Përgjithme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) anembanë vendit, janë angazhuar në aksionin për pastrimin e mjedisit.
Kryeministri Edi Rama, publikoi në rrjetet sociale, foto nga aksioni i pastrimit që u zhvillua në qytete të ndryshme.
“Në Ditën Botërore të Pastrimit, për t’ju bashkuar Green Line Albania, në zonat pranë drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor çdo ekip i rajonaleve të DPSHTRR anembanë vendit, atje ku moti lejoi, ka dalë sot në aksionin e pastrimit”, shkroi Rama.
Ndërkohë Plani Kombëtar i Pastrimit që u ndërmor nga qeveria, ka shënuar rezultate pozitive, duke sensibilizuar gjithnjë e më shumë qytetarët të cilët i janë bashkuar vullnetarisht kësaj nisme për pastrimin e mjedisit nga mbetjet dhe plehrat e ndryshme.
Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe ka përfshirë të gjithë territorin.
