Agjencia Telegrafike Shqiptare

Miratohet pr.ligji për aderimin në Konventën për ndihmat detare në lundrim

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”.

I pranishëm për të bërë shpjegimin e projektaktit në komision ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si dhe kundëradmiral Adnand Agastra, komandant i Forcës Detare.

“Organizata Ndërkombëtare për Ndihmat Detare në Lundrim është themeluar, sipas legjislacionit ndërkombëtar si organizatë ndërqeveritare”, tha Peleshi.

Më tej, ministri Peleshi sqaroi se, anëtarësimi në këtë organizatë mund të kryhet nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, kusht ky, që Republika e Shqipërisë e përmbush.

Lidhur me Konventën ministri Peleshi tha se, ”Aderimi i Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për Ndihmat Detare në Lundrim, do të sjellë një rritje të sigurisë, standardeve më të larta teknike, duke garantuar lundrim të sigurt, jo vetëm për mjete ushtarake, por kryesisht për mjete lundruese tregtare, turistike dhe më gjerë, në territorin e Republikës së Shqipërisë”

Në vijim të mbledhjes së komisionit, ministri Peleshi, iu përgjigj interesimit të deputetëve në lidhje me përfitimet dhe detyrimet që ka Shqipëria nga kjo Konventë.

Në cilësinë e relatorit Denis Deliu tha se, kjo Konventë ka për qëllim harmonizimin e sistemit të ndihmës në lundrimin detar, ofrimin e asistencës teknike dhe krijimin e kapaciteteve për rritjen e standardeve të sigurisë lundrimore të secilit vend anëtar.

Në përfundim të diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version