Agjencia Telegrafike Shqiptare

Çuçi: Pastrim i Policisë nga elementët e inkriminuar

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se Policia e Shtetit ka detyrë të pastrojë radhët nga elementë të inkriminuar që dekonspirojnë operacionet.

I pyetur në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë nëse është i shqetësuar për inkriminimin e disa individëve brenda Policisë së Shtetit, Çuçi tha se, “pa diskutim që është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit dhe sidomos Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga këta elementë të inkriminuar që dekonspirojnë operacionet e Policisë”.

Lidhur me deklaratën e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano se 14 kriminelë i kanë shpëtuar Policisë sepse janë dekonspiruar operacionet, Çuçi tha se, “sigurisht kur nuk e di drejtori i Përgjithshëm i Policisë kur ishte në detyrë, vështirë se do ta dijë ministri këtë gjë, kështu që ajo është në hapësirën e informacionit që ka drejtori i përgjithshëm i Policisë”.

“Ne pa diskutim që do ta hetojmë dhe do ta thellojmë hetimin dhe pa diskutim që do përfshihet edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili ka bërë këtë deklaratë të tillë për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës dhe për të goditur këdo që dekonspiron nga brenda operacionet e Policisë”, theksoi Çuçi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version