Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Protesta, e gjatë dhe e qëndrueshme

TIRANË, 1 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot mbledhje me kryesinë e PD-së, ku në fokus ishte zgjedhja e kryetarëve të grupeve të punës që do të drejtojnë dhe ndjekin në bazë aksionin politik të kësaj partie.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se “protesta e gjatë dhe e qëndrueshme, shkatërrimtare për këtë regjim, është jetike dhe vendimtare për të ecur në rrugën e demokracisë”.

Sipas tij, “qytetarët presin veprimet e frontit për shpëtimin e Shqipërisë dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u dalë zot dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë”.

Berisha foli edhe zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, që sipas tij, janë dritë shprese për shqiptarët.

“Ne si PD, kemi fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Këto primare dhe kjo procedurë janë dritë shprese për demokracinë dhe shqiptarët. Mbahen në kushte shumë të vështira, por kanë shpirtin e pluralitetit në vete, kanë fundin e kryetarokracisë. Duhet të bëjmë gjithçka për një procedurë sa më transparente, të zgjidhen kandidatët më të mirë, me votën e lirë”, tha ai.

Gjithashtu, Berisha foli edhe për situatën energjetike ku deklaroi se kryeministri Rama po përgatit katastrofën energjetike në vend, që nuk lejon zbrazjen e digave deri në datën 1 shtator nën nivelin 284 metra.

Sipas tij, sot digat janë nën 270 metra.

Berisha deklaroi se “duan të sjellin errësirën, që të justifikojnë aferën e tmerrshme të kontraktimit të dy gjeneratorëve gjigantë nga Bangladeshi në Vlorë, të cilët shpenzojnë 520 mijë euro naftë dhe kanë qira ditore prej 92 mijë eurosh. Ky i zbraz digat, por dy gjeneratorë që punojnë me mazut, me përqindje të tmerrshme squfuri, që për Vlorën janë sikur të fusësh 100 mijë automjete që bëjnë 100 kilometra çdo ditë në Vlorë, për mjedisin e saj, një prokurim pa tender. Një kompani gjigante”, tha ai.

Duke folur për  shkarkimin e Gledis Nano nga posti i drejtort të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Berisha tha se “ai iku, pasi ra në dijeni të aferave të Olsit dhe Çuçit”.

“E vërteta është se ai pati fatin të bjerë në korrent dhe korrenti ishte afera e call-centerave. Skema ishte në Tiranë, vjedhja bëhej në Gjermani. Autoritetet gjermane iu drejtuan këtij. Iku Nano, sepse 2.2 tonë drogë në Itali nuk shkuan nga skafet, shkuan nga velat e klubit të Çuçit. Dolën velat transportuesit kryesorë të drogës. Nuk ishte se po luftonte krimin ai, por pati naivitetin që të mos i mbulonte këto. Kush iku me të? Iku edhe drejtorja e agjencisë kundër larjes së parave. Nuk e njihja atë, sigurisht që ishte një emër formal në atë detyrë. Iku që agjencia të shndërrohet në agjencinë e larjes së parave të krimit”, tha Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version