TIRANË, 17 gusht /ATSH-I.Vata/ Deputeti i PD-së, Luan Baçi denoncoi sot kontratën koncesionare për inceneratorin e Fierit me vlerë 30 mln euro.
Në një dalje për mediet, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi deklaroi se një kontratë koncesionare është lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë Integrated “Technology Waste Management” që në tetor 2016. Vlera e kontratës, sipas tij, është 30 milionë euro.
“Partia Demokratike, opozita dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile e kanë denoncuar pa ndërprerje atë koncesion që u kthye në megaaferë. Thuajse 6 vjet më vonë ende ka shumë pyetje, por asnjë dilemë. Pronarët e inceneratorëve janë në kërkim, ndërkohë që produktet e veprës penale nuk bllokohen. Përgjigjet duhen kërkuar te mëkati apo korrupsioni fillestar. Që në firmosjen e kontratës mes ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë së Klodian Zotos ka shumë gjëra që “mbajnë erë”. Kompanitë e djegies së mbetjeve, që u krijuan për ta zhdukur erën e keqe nga qytetet, bënë të kundërtën, e shtuan atë. Duke shtuar, bashkë me erën, edhe kostot të cilat llogariten në kufijtë e 500 milionë eurove”, u shpreh ai.
Po ashtu, Baçi ka ngritur disa pyetje në SPAK se pse kontrata koncesionare nuk është botuar në mënyrë zyrtare dhe pse nuk ekziston një VKM për të.
“Sot, si çdo ditë, kemi këto pyetje të thjeshta për SPAK: Pse nuk ka një VKM për 30 milion eurot e inceneratorit të Fierit, apo ka një të tillë dhe mbahet i fshehur? Pse kjo kontratë 30- milionë euroshe nuk është botuar fare në Fletoren Zyrtare? Kush kishte tagrin që të injoronte vendimin e Fierit dhe ta ndërtonte krejt tjetërkund nga 10 vendosjet e vlerësuara nga Bashkia e Fierit? Para 3 vitesh KLSH njoftoi se ishin marrë 88% të fondit për inceneratorin e Fierit por nuk ishin investuar as 12%! Ku shkuan ato para? Pse nuk ndërpritet kontrata dhe të dërgohet për ndjekje penale?”, u shpreh Baçi.
/j.p/r.e/
