Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjermani – SPD refuzon përjashtimin e ish-kancelarit Schröder

HANOVER, 8 gusht /ATSH- dpa/ – “Nuk ka arsye për pëjashtimin e ish-kancelarit Gerhard Schröder nga partia e qendrës së majtë SPD për shkak të marrëdhënieve të tij me presidentin rus Vladimir Putin”, deklaroi sot një komision partiak arbitrazhi.

Schröder nuk ka shkelur rregullat eSPD-së duke u angazhuar në kompanitë shtetërore ruse, që do të thotë se nuk ka arsye për përjashtimin, madje as për qortimin e tij, deklaroi komisioni partiak në qytetin verior gjerman të Hanoverit.

Vendimi mund të apelohet brenda dy javësh.

Komisioni e ka shqyrtuar çështjen prej disa javësh pas 17 mocionesh të dorëzuara nga fraksione të ndryshme të partisë për përjashtimin e ish-kancelarit gjerman.

Vetë Schröder nuk mori pjesë personalisht dhe as nuk dërgoi një përfaqësues ligjor në seancat e komisionit.

Ish-kancelari, i cili ka shërbyer në detyrë në periudhën mes viteve 1998 dhe 2005, prej vitesh kritikohet për përfshirjen e tij në kompanitë shtetërore ruse, ndërkohë që konsiderohet edhe mik i ngushtë personal i Putinit.

Presioni mbi Schröder për t’u distancuar nga Putini u shtua pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti.

/u.sh/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version