Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arbana: Shijaku, dëshmi e ringritjes së plotë pas tërmetit

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana u shpreh sot se “me mbështetjen e pazëvendësueshme të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare ne arritëm të kthenim shpresën për më shumë se 800 familje, që morën çelësat e një shtëpie të re falas, kemi rikonstruktuar mbi 1500 apartamente të dëmtuara me grantet e dhëna dhe ndërtuam 4 shkolla dhe 2 kopshte”.

Në një intervistë për mediet, Arbana tha se “së shpejti po përfundojmë 30 pallatet, që do të jenë dëshmia e ringritjes së plotë pas tërmetit”.

Sa i takon përfshirjes së banorëve të Shijakut në vendime të caktuara që merren për qytetin, Arbana theksoi se “ne shpesh realizojmë dëgjesa publike me qytetarët, por bëj dhe takime të drejtpërdrejta me to. Së fundmi kishim një pyetësor të hapur për të gjithë për një javë lidhur me mendimin e banorëve se ku duhet të jenë prioritetet e bashkisë. Zëri i çdokujt ka rëndësi për mua dhe duhet të dëgjohet, kur bëhet fjalë për të kërkuar më të mirën për Shijakun”.

Duke folur për atë që e bën të ndjehet krenar për punën e tij, Arbana u shpreh se “është fakti se i kam shërbyer të gjithë qytetarëve njëlloj. Dera e bashkisë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për këdo që ka një problem, që ne si institucion mundet t’ia zgjidhim”.

“Me punët konkrete të realizuara deri më sot kemi mbajtur premtimet dhe madje në shumë gjëra që lidhen kryesisht me rindërtimin kemi mundur të bëjmë dhe përtej pritshmërive të qytetarëve”, tha Arbana.

Arbana bën të ditur se, “një mandat i dytë në krye të bashkisë nuk është qëllim në vetvete më shumë sesa mbyllja me sukses e mandatit të cilin Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama ma kanë besuar dhe qytetarët më kanë votuar. Do të jem aty ku duhem. Nëse Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama mendon se duhet të rikandidohem, patjetër që do ta vazhdoja punën për rilindjen e Shijakut si qytet evropian”.

Lidhur me synimet për kohën e mbetur nga ky mandat si kryetar bashkie, Arbana thekson se, “zhvillimi i qytetit vjen nga punë të vogla të përditshme dhe një këndvështrim largpamës. Do vazhdojmë të kujdesemi për mirëmbajtjen. Të kemi një qytet sa më të pastër. Me përfundimin e rindërtimit të kemi sa më shumë zona të gjelbëruara. Të zgjidhim përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, të zhvillojmë jetën kulturore e të nxisim të rinjtë për pjesëmarrje aktive në jetën sociale, etj”.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version