Agjencia Telegrafike Shqiptare

MEPJ: Shqipëri-Itali, një hap afër finalizimit të marrëveshjes së pensioneve

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se Shqipëria dhe Italia janë një hap afër finalizimit të marrëveshjes së pensioneve.

MEPJ bëri të ditur se, “u mbajt sot në Tiranë, takimi i parë i Komisionit të përbashkët Shqipëri-Itali, për njohjen e sistemit të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore dhe arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve”.

“Falë angazhimit të qeverisë dhe punës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, jemi një hap afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje e cila ka në thelb bashkimin e kontributeve shoqërore për shtetasit që kanë punuar në të dyja vendet”, theksoi MEPJ nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Prej datës 25 deri më 27 korrik po zhvillon një vizitë në Tiranë, senatori Tommaso Nannicini, kryetar i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asistencës sociale, i cili do të kryesojë delegacionin e përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore, njoftoi sot Ambasada e Italisë në Tiranë.

Delegacioni do të negociojë me palën shqiptare marrëveshjen mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim arritjen e bashkimit të kontributeve shoqërore për ata shtetas që kanë punuar në të dy vendet.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version