Agjencia Telegrafike Shqiptare

Boci: PD do jetë lokomotivë e procesit të integrimit

TIRANË, 20 korrik/ATSH – I. Vata/- Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar sot në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për mediet, Boçi tha se Edi Rama u kthye nga Brukseli dhe nxori orkestrën në rrugë për të festuar një datë që ka 10 vjet që e mban peng.

“Festoi siç e ka zakon, edhe para katër vjetësh, me dekorata, shampanjë dhe fishekzjarrë hapjen e negociatave duke i gënjyer shqiptarët sy për sy, se negociatat ishin hapur. Ngriti flamurin e BE ndërkohë që vlerat e saj i nëpërkëmb çdo ditë. Mjaft të kujtoni fyerjet në adresë të përfaqësuesve të vendeve europiane kur i kritikuan amnistinë fiskale. Foli si monist për opozitën dhe e konsideroi të ndarë, duke i mbyllur sytë para bashkimit të madh popullor dhe opozitar më 7 korrik. Partia Demokratike e ka përshëndetur dhe do ta mbështesë pa asnjë hezitim procesin e çeljes së negociatave, duke theksuar se ato i hapen Shqipërisë dhe prirjes europiane të vendit, jo qeverisë. Ne jemi partia e integrimit, e idesë së parë të tij, e nënshkrimit të MSA, paraqitjes së kërkesës për pranimin e Shqipërisë si vend anëtar ne BE, liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat nga Komisioni, të cilin e bllokoi Edi Rama”, tha ai.

Boçi u shpreh se, jemi partia e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Si të tillë dhe si shqiptarë, duam të ju bëjmë me dije disa teza të ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare në lidhje me atë që cilësohet si ‘çelje negociatash’ dhe procesin në vijim: Për të filluar negociatat, vendi kandidat duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, të tjerat duhet të përmbushen gjatë fazës së negociatave; nëse vendi nuk bën progres negociata ngecin në vend; çdo vend anëtar mund të kundërshtojë mbyllje ose hapjen e kapitujve të anëtarësimit; secili vend anëtar mund të pengojë avancimin e negociatave, nëse nuk përmbushen kriteret e kërkuara. Reagimi i Bundestagut gjerman dje ishte i qartë në këtë pikë.

“BE nuk do të jetë thjesht vëzhguese dhe këshilluese në proceset e brendshme nga sot e tutje. Kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë dhe do t’ia bëjë të vështirë që të mbulojë të metat dhe hilet me propagandë. Të gjitha këto dëshmojnë se, për Edi Ramën procesi i negociatave është mision i pamundur. Partia Demokratike garanton shqiptarët se do jetë ajo lokomotivë e këtij procesi”, tha ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version