Agjencia Telegrafike Shqiptare

Punime në Unazën e Madhe, devijohet qarkullimi

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se, duke nisur nga 16 korriku do të bllokohet segmenti i unazës Lindore Farkë-Shkozë, për shkak të punimeve që do kryhen në Lotin 2 dhe 3 të këtij aksi.

“Në vijim të punimeve për zbatimin e projektit “Rikualifikimi i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 3” dhe “Plotësimi i punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën Lindore Loti 2”, sipas grafikut të punimeve, në datën 16.07.2022, ora 08:00, do të fillojnë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit në Shkozë, si dhe punimet e asfaltimit të karrexhatës së majtë dhe të djathtë të rrugës kryesore të segmentit rrugor Farkë-Shkozë”, thuhet në njoftimin e ARRSH në rrjetet sociale.

ARRSH bën të ditur se, për realizimin e këtyre punimeve është e nevojshme të kryhet bllokimi i segmentit të unazës Lindore Farkë-Shkozë. Përdoruesit e këtij segmenti rrugor do të devijojnë nga rruga kryesore në nyjën e Farkës duke përdorur rrugën “Ali Shefqeti” dhe “Alajdin Frashëri” deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe anasjelltas.

ARRSH informon se, në këto pika të devijimit do të vendoset sinjalistika e përkohshme orientuese për qarkullimin e mjeteve. Kryerja e këtyre punimeve është parashikuar të zgjasë rreth 10 ditë.

ARRSH kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve për këtë devijim.

/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version