TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me kryetarët e degëve.
Kryemadhi u shpreh në takim se LSI në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të jetë më e përgatitur në fushatë.
“Në pranverën e ardhshme do të kemi zgjedhjet lokale dhe ne si LSI duhet të jemi shumë më të përgatitur për sa i përket prezencës tonë në fushatë”, tha ajo.
“Për shkak të mungesës të gjithë këshilltarëve, të gjithë pushtetit vendor që në zgjedhjet e 2019 erdhi si rezultat i bojkotit që ne bëmë. Kështu që edhe detyrimi, puna jonë dhe angazhimi jonë duhet të jetë shumë më i madh krahasuar me fushatat e tjera”, theksoi Kryemadhi.
“25 korriku është Konventa Kombëtare që ne do ta zhvillojmë në Pallatin e Kongreseve. Faktikisht nga zgjedhjet e fundit një anëtar një votë, numri i delegatëve nuk e kalon numrin 800, pas verifikimeve që stafi ka bërë, ka disa largime. Në bashkëpunim me kryetarët e partisë në rrethe ne duhet të vendosim një lloj koordinimi për pjesëmarrjen e të gjithë delegatëve që janë prezent, por edhe për të pasur evidentimin e atyre që janë larguar jashtë shtetit nëse kanë mundësi për të ardhur apo nuk kanë mundësi për të ardhur në Konventë”, u shpreh Kryemadhi.
Nga ana tjetër, shtoi ajo, “Lëvizja Rinore për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim duhet të kenë të gjithë angazhimin tjetër për përgatitjen e kandidatëve që do të jenë pjesë e strukturës drejtuese të Komitetit Drejtues”.
“Data 25 ka një rëndësi shumë të veçantë për ne, ka një rëndësi të veçantë për sa i përket Konventës Kombëtare, por ka dhe një rëndësi të veçantë ngjarjes dhe zhvillimit politik që do të marrë LSI në të ardhmen”, tha Kryemadhi.
Ndërkohë, Kryemadhi theksoi se, “para datës 25 korrik është protesta e datës 7 korrik, që në këndvështrimin tim është shumë e rëndësishme. Nuk është e rëndësishme për ta pasur si organizim politik, por është e rëndësishme për t’i sensibilizuar njerëzit, që në qoftë se ndihen të varfër, të papunë, të frustruar, të vjedhur, të grabitur, të kërcënuar, të intimiduar është e vetmja mënyrë për të dalë për të protestuar. Jo për të protestuar për partitë politike, por për të dalë për të protestuar për veten e tyre”.
/j.p/r.e/
