TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar është promovuar botimi i shtatë i librit “Albania: the Bradt Guide“, me autore Gillian Gloyer.
Kjo veprimtari u organizua me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Republikës së Shqipërisë.
E pranishme në këtë veprimtari ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në fjalën e saj e vlerësoi këtë botim si një ndihmesë për njohjen e trashëgimisë kulturore dhe të historisë së Shqipërisë jo vetëm në vendlindjen e autores, por edhe më gjerë.
“Bradt Guide” janë guida udhëtimesh turistike, të publikuara që nga viti 1974. Ato kanë fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare dhe cilësohen si guida për vende të cilat nuk mbulohen nga botues të tjerë udhëtimesh.
Ndërkaq, ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, shprehu kënaqësinë që 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona vjen në një mënyrë të veçantë me promovimin e një libri që pasqyron vlerat dhe traditat kulturore të Shqipërisë.
Gjithashtu, në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, theksoi se ky 100-vjetor shënohet dhe përkujtohet me një botim serioz, ku në mënyrë të përmbledhur, përfshihet trashëgimia shqiptare.
Në fund, autorja e librit “Albania: the Bradt Guide”, Gillian Gloyer, falënderoi të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i bëhet punës së saj për hartimin e këtij libri.
/r.e/
