TIRANË, 1 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Maqedonia e Veriut duhet të pranojë pa asnjë hezitim propozimin e ri francez, që është edhe i fundit, i cili i hap rrugë çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një konferencë me gazetarët pas punimeve në Samitin e NATO-s, të mbajtur në Madrid, Rama informoi mbi përpjekjet e bëra për të arritur në një marrëveshje që i hap rrugën çeljes zyrtare të negociatave.
“Kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili meriton një mirënjohje dhe falënderim të madh, sepse e ka ndjekur vetë personalisht për 48 orë rresht pa pushim këtë proces, edhe pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe”, tha Rama.
“Në këndvështrimin tim propozimi i ri, që është edhe propozimi përfundimtar, këtë duhet ta kuptojnë mirë në Maqedoninë e Veriut, është një propozim plotësisht i pranueshëm dhe qeveria, shumica, parlamenti i Maqedonisë së Veriut, duhet ta pranojë pa asnjë hezitim. Shoqëria në Maqedonia e Veriut duhet të ndihet plotësisht e lehtësuar, sepse është kapërcyer një ngërç dhe janë eliminuar disa nuanca që e bënin të papranueshëm propozimin e mëparshëm”, tha Rama.
Kryeministri informoi se ka zhvilluar një bashkëbisedim konstruktiv edhe me presidentin e Bullgarisë.
“Është shumë e qartë për të gjithë. Ne nuk kemi asnjë problem me Bullgarinë, asnjë shqetësim të asnjë natyre tjetër, veç shqetësimit të krijuar nga qasja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pengmarrja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kushtet e një procesi që mund të kishte qenë shumë më civil dhe europian nga ana e Bullgarisë. Por është një ujë që ka kaluar nën urë dhe me mbylljen e procesit të shqyrtimit nga Maqedonia e Veriut të propozimit të fundit francez, nuk ka më asnjë gjë për të shtuar për sa i përket Bullgarisë. Uroj të mos ndeshim rrugës në të ardhmen të tjera ‘Bullgari’, në forma të tjera, si shprehje e deformimit të shpirtit të zgjerimit”, tha Rama.
/r.e/
