Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kujtim Prodani, miku i të gjithëve

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Në kuadër të “Muajit të muzikës”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar sot kantautorin e njohur, Kujtim Prodani.

Kujtim Prodani u nda nga jeta një vit më parë, në moshën 57-vjeçare, si pasojë e infektimit me COVID. Ai ishte i biri i kompozitorit Agim Prodani, një prej themeluesve të muzikës së lehtë shqiptare dhe këngëtares po aq të njohur e të dashur nga publiku, Anita Take.

“Kujtojmë sot mikun e të gjithëve, që si askush tjetër i këndoi Tiranës”, shprehet ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Paradoksalisht disa muaj para se të ndërronte jetë, kantautori i kushtoi një këngë pikërisht virusit që i mori jetën.

Kujtim Prodani do të mbahet mend nga publiku artdashës dhe miqtë e tij, si një romantik i pashërueshëm, i dashuruar me jetën, që çoi përtej veprën e prindërve të tij artistë, duke ia kushtuar jetën muzikës.

Ai nuk shkroi vetëm muzikë për vete e këngëtarë të tjerë, por edhe muzikë filmash. “Ngjyrat e moshës”, “Unë e dua Erën” si dhe muzikën për 8 filma me metrazh të shkurtër.

Artisti që i këndoi Tiranës, ruajti gjithmonë fisnikërinë e tij dhe nuk ndali asnjëherë së qeni i pranishëm në skenat e festivaleve si dhe në jetën artistike të kryeqytetit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version