Agjencia Telegrafike Shqiptare

Promovim i traditave të komunitetit egjiptian në Lezhë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Egjiptian, bashkia e Lezhës organizoi sot një aktivitet për promovimin e trashëgimisë së kulturës, arsimimit dhe traditës egjiptiane.

Në fokus të këtij takimi ishte mirënjohja për anëtarët e këtij komuniteti që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin dhe integrimin e kulturës dhe traditës egjiptiane.

Në mënyrë të veçantë mirënjohja ishte për të ndjerët, Rauf Selimi dhe Luciano Levri, të cilët ndër vite promovuan rëndësinë e arsimimit tek fëmijët dhe mbështetjen konkrete për zhvillimin e tyre.

Bashkia Lezhë shpërndau certifikata mirënjohjeje për tre të rinj të arsimuar të këtij komuniteti, të cilët duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu falënderoi qendrat sociale, “Shejntja Mari”, “Malteser”, Terre des Hommes, “Jozue”, organizatën Caritas dhe Drejtësi Sociale që punojnë për arsimimin e këtij komuniteti.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version