TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisores së njohur Vjosa Berisha.
Teksa ka postuar një foto në rrjetet sociale me Vjosën dhe bashkëshortin e saj Fatos Berisha, Veliaj shkruan: “Linde si dielli dhe mbete lart në qiell për të mos perënduar asnjëherë! Do na mungosh shumë! Lamtumirë Vjosa jonë e dashur”.
Vjosa Berisha ishte themeluese e festivalit PriFilmFest. E diplomuar në master të Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë. Vjosa Berisha ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit.
Që nga viti 2013-të, Vjosa Berisha ishte gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.
Ajo ndërroi jetë sot pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 50-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, sipas të cilit Vjosa ka ndërruar jetë në University College Hospital në Londër.
/r.e/
