Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Rezoluta për krimet serbe në Kosovë, 3 javë që pret të shqyrtohet

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se, “rezoluta për krimet serbe në Kosovë ka tri javë që pret të shqyrtohet”.

“Nuk keni absolutisht asnjë tagër përveç mosluajalitetit të plotë të këtij parlamenti të silleni në këtë mënyrë. Ju po shkruani rregulloren e Kuvendit, ju kryeni krim, sepse po shkelni ligjin e parlamentit”, tha Berisha.

“Aty përcaktohet qartë se cili është qëndrimi që mbahet ndaj rezolutave. Brenda tre ditëve nga data e depozitimit, ajo shqyrtohet nga Kuvendi. Rezoluta për krimet serbe në Kosovë ka tre javë që pret të shqyrtohet”, u shpreh Berisha.

Duke iu drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Berisha tha se, “parlamenti nuk është dyqani yt, ti nuk ke as konceptet më elementare”.

“Ligji i parlamentit parashikon që kryesia e parlamentit ta sjellë në sallën e parlamentit çështjen, jo në komisione. Ju po e trajtoni parlamentin në mënyrën më primitive, në mënyrën më të padenjë. Po e trajtoni sipas urdhrave që merrni nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.

“Ju po rrisni shkallën e konfliktualitetit në parlament. Nuk ka kush të drejtë të shkelë të drejtat e deputetëve në Kuvend. Pse ju djeg dënimi i gjenocidit serb në Kosovë? Kjo është antikushtetuese dhe antiligjore”, tha Berisha.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version