Agjencia Telegrafike Shqiptare

Materialet e ndërtimit, Komisioni i Ekonomisë miraton Aktin Normativ

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Situata e veçantë e krijuar nga efektet e luftës në Ukrainë, por jo vetëm, ka krijuar problematika me ecurinë e investimeve publike.

Rritja e ndjeshme e çmimeve për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar ose ndaluar një pjesë të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme do të shkaktonte humbje të ndjeshme të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit deri në falimentimin e tyre.

Kjo situatë do të sillte ndërprerjen e punimeve dhe si pasojë do të kishim shtyrje të përfundimit të objekteve shoqëruar me efektet të tjera negative.

Duke analizuar zbatimin e buxhetit të shtetit për 5-mujorin, vërehet se niveli i investimeve publike me financim të brendshëm është ngadalësuar, duke arritur në 14 % të totalit të shumës së programuar për vitin 2022, nga 31 % që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nisur nga kjo situatë, qeveria hartoi një Akt Normativ, përmes së cilit përcaktohen rregullat për kompensimin e disa materialeve të ndërtimit që kanë pësuar rritje.

Gjatë diskutimit të këtij Akti Normativ, në Komisionin parlament të Ekonomisë dhe Financave, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Adela Xhemali, tha se procedura e përcaktimit të kompensimit është përcaktuar me detaje dhe realizohet në formën e kontratës shtesë.

“Pagesa bëhet kundrejt punës së kryer dhe pas verifikimit të përdorimit të materialeve të përcaktuara në këtë Akt, mbështetur në situacionin e punimeve në faturën e blerjes. Kompensimi i operatorëve që përmbushin kriteret e këtij Akti Normativ bëhet nga 5-30 % të vlerës së kontratës”, shpjegoi Xhemali.

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se ky është një problem që ekziston dhe duhet zgjidhur.

“Por Akti Normativ duhet të jetë i qartë në procedura. Një diapazon kaq i gjerë kompensimi nga 5-30 %, është një mundësi që gjatë zbatimit të tij të përfitojnë njerëz që nuk ju takon të përfitojnë“, tha Spaho.

Sipas tij, nuk kanë pse të kompensohen kontratat që e kanë kaluar afatin e realizimit.

“Duhet të ishte bërë një analizë e këtyre kontratave dhe të përcaktohej ç’lloj natyre duhet të ishin kontratat që duhej të kompensoheshin”, shtoi Spaho.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version