TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Deputeti gjerman i CDU-së, Knut Abraham në një intervistë për Deutsche Welle ka folur mbi pritshmëritë nga vizita e kancelarit Olaf Scholz në rajon.
“Ne duhet të sjellim besueshmëri në procesin e anëtarësimit. Në thelb, që nga fillimi i viteve 1990, vendet janë në pritje të një afrimi me Evropën. Nëse nuk ndodh asgjë, zhgënjimi është i madh, prandaj edhe është me rëndësi që të rifitojmë motivimin”, u shpreh ai.
I pyetur se çfarë duhet bërë për të rikthyer besueshmërinë, Abraham tha se, “për shembull, duke filluar negociatat e anëtarësimit dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pra, të ushtrojmë ndikim masiv tek miqtë në Sofje, në mënyrë që çështjet dypalëshe, siç janë problemet maqedono-bullgare, të mos pengojnë të gjithë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”.
Sa i përket asaj që ka në dorë Gjermania apo BE-ja, Abraham u shpreh se, “ne kemi pritshmëri nga qeveria bullgare, si në BE ashtu edhe në planin dypalësh. Dhe duhet t’ua bëjmë të qartë miqve tanë në Sofje se ky problem është një problem që duhet zgjidhur në planin dypalësh, e jo në nivel evropian”.
Për mesazhin që duhet të sjellë Scholz në Prishtinë, Abraham theksoi se, “edhe këtu është e rëndësishme të rifitojmë besimin e humbur. Për shembull, sa i përket liberalizimit të vizave: kushtet janë plotësuar. Dhe kur ke punuar me vite me kushtet dhe kur i ke arritur ato dhe ende nuk e ke arritur qëllimin, rezultati është zhgënjimi. Dhe kjo është arsyeja pse unë shpresoj shumë që vendimi për liberalizimin e vizave të merret deri në fund të qershorit nën Presidencën Franceze. Një vend i rëndësishëm si Gjermania dhe një personalitet i rëndësishëm si Kancelari Federal mund të japin këtu një kontribut të rëndësishëm”.
I pyetur nëse nisma e Ballkanit të Hapur do të ishte një alternativë më efektive se Procesi i Berlinit, Abraham tha se, “Procesi i Berlinit, që lidhet me emrin e zonjës Merkel, sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një element pozitiv”.
I pyetur se cila është këshilla e tij për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë nismë, ai tha se, “ky është një kompromis. Përvoja e Kosovës me fqinjin e saj është mbrujtur nga mosbesimi. Kjo nuk mund të anashkalohet. Por unë besoj se çdo gjë që ndihmon në zgjerimin e ekonomisë kosovare është e mirë. Dhe në këtë kuptim, unë besoj se Ballkani i Hapur mund të jetë një perspektivë”.
Për sjelljen e kancelarit Scholz në Beograd, Abraham theksoi se, “Serbia është një partner jashtëzakonisht i vështirë për të gjithë ne, por sigurisht veçanërisht për Kosovën, thjesht për shkak të fqinjësisë dhe historisë së saj. Por mesazhi ynë për Beogradin është shumë i qartë: Edhe pse mund të ketë interesa të kuptueshme energjetike, ka ardhur koha që Serbia të pozicionohet. A dëshiron të shkojë në Evropë apo dëshiron të jetë një lloj zone neutrale me marrëdhënie të shkëlqyera me Moskën? Tani, në këtë kohë, në këtë situatë lufte, është koha për të marrë një vendim”.
I pyetur nëse do të ishte zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor propozimi i Macron për krijiimin e një federate shtetesh përtej BE-së dhe ideja e Krichbaum për anëtarësim të asociuar, Abraham tha se, “kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe jam mirënjohës që mund ta sqaroj këtu. Një ide e tillë, e paraqitur nga Presidenti francez dhe gjithashtu nga të tjerë, mund të jetë vetëm një hap i ndërmjetëm. Ne duhet të konsiderojmë modele, në të cilat këto shtete të mund të miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos atë të tregut të brendshëm, dhe kështu mund të përfitojnë edhe nga avantazhet ekonomike të BE-së, pa u bërë anëtar me të drejta të plota. Pra, jo në asnjë mënyrë një klub i veçantë i fqinjëve të vështirë. Anëtarësimi në tregun e përbashkët është një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një zëvendësim i anëtarësimit të plotë”.
/j.p/r.e/
