TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Aktiviteti sportiv “Turi i 79-të Çiklistik i Shqipërisë”, përfundoi sot në qytetin e Fierit, i cili u zhvillua nga data 31 maj 2022 deri në datën 4 qershor 2022, në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Fier.
Drejtoria e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë, “Shqiponjat” dhe Patrullat e Përgjithshme, mori masa për garantimin e rrugëkalimeve të sigurta për çiklistët, njoftoi sot Policia e Shtetit.
Në përfundim të turit, çiklistët kanë ndaluar në Fier dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë së Fierit dhe nëpërmjet tyre të gjitha strukturat e Policisë së qarqeve të tjera që u angazhuan në mbarëvajtjen e këtij turi, i cili u përmbyll pa asnjë problem, falë masave të marra nga ana e Policisë.
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, gara e 3-të më e vjetër çiklistike në Evropë, është për herë të 4-ët, pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).
Ky edicion ngriti siparin të martën, më 31 maj 2022 me ceremoninë e hapjes, që u mbajt në kryeqytet dhe më pas me etapën e parë. Kjo etapë është zhvilluar me itinerarin Tiranë-Korçë, 161 km të gjatë.
Ylber Sefa i ekipit kombëtar të Shqipërisë mbërriti i pari në finish, me kohën 3 orë, 51 minuta e 5 sekonda, ndërsa podiumin e plotësoi Kristian Raileanu dhe çiklisti tjetër kuqezi, Mikel Demiri.
Ky i fundit është fituesi i finishit të malit dhe mbajtës i fanelës së të riut më të mirë.
Etapa e dytë vijoi në Korçë-Elbasan, e gjatë 153.5, që zgjati rreth 4 orë dhe fitoi vendin e parë Van Schipstal Guus i Ekipit Global cycling team me kohën 3:31:01 dhe me shpejtësi mesatare 43.6 km/ore, vendi i dytë Kalaba Dušan i Ekipit Kombëtar të Serbisë dhe vendi i tretë Divnic Jovan i ekipit Meridiana Karmen Team.
Bluza e verdhë e klasifikimit të përgjithshëm qëndroi tek Ylber Sefa i Ekipit Kombëtar Shqiptar ndërsa mbajtësi i Bluzës së kuqe, bluza e klasifikimit të malit Mikel Demiri.
Ndërsa etapa e e 3-të u zhvillua në aksin rrugor Elbasan-Vlorë, 141 km e gjatë. Gara u karakterizua nga lufta e fortë, pa çiklistë që janë shkëputur nga grupi. Për rrjedhojë, finishi ka qenë i ngjeshur dhe vendin e parë e ka marrë rumuni Valentin Plasea i skuadrës së Steauasë, i ndjekur nga Gjorgje Gjuriç i përfaqësueses së Serbisë dhe bashkëatdhetari Daniel Krista po i Steauasë, të 3 me kohën 3 orë, 19 minuta e 54 sekonda.
Ylber Sefa vazhdon të mbajë fanellën e verdhë të kryesuesit të renditjes së përgjithshme, por edhe atë të sprintit, ndërsa Mikel Demiri vazhdon të mbajë fanellën e malit dhe të çiklistit të ri më të mirë.
Etapa e 4-ët, Vlorë-Gjirokastër, ishte 130.8 km e gjatë që i karakterizua nga finishi malor në qytetin e ngurtë dhe i pari ka mbërritur çiklisti bullgar, Laçezar Angelov, i skuadrës Hemus-1896, me kohën 2 orë, 59 minuta e 33 sekonda.
Dy sekonda pas tij ka mbërritur çiklisti holandez i skuadrës Global Cycling Team Antuan Van Nopi dhe çiklisti rumun i skuadrës së Steauasë, Kristian Raileanu.
Ky i fundit ka marrë kryesimin e renditjes së përgjithshme individuale dhe fanellën e verdhë, ndërsa çiklisti kuqezi, Mikel Demiri, mban ende fanellën e malit dhe të të riut më të mirë. Fanella e sprintit shkoi për çiklistin serb, Gjorgje Gjuriç.
Në Rrethin e 79-të Çiklistik të Shqipërisë morën pjesë 12 skuadra, 3 shqiptare e 9 të huaja.
