Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Bujtina në Dardhë të Korçës mikpret vizitorë në të 12 muajt e vitit

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Në Dardhë të Korçës një tjetër bujtinë ka hapur dyert për të mikpritur vizitorët dhe turistët e huaj në të 12 muajt e vitit.

Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale pamje nga bujtina “Shtëpia e Gjuetarit”, ku sipas tij është një vlerë e shtuar e Dardhës turistike.

“Në fshatin super piktoresk të Korçës, Dardhë, ka çelur dyert kjo bujtinë e bukur ngritur mes pyllit të dendur të pishave. “Shtëpia e Gjuetarit”, një sipërmarrje private që me ndihmën e qeverisë përmes AZHBR, është një vlerë e shtuar e Dardhës turistike. Mahnitëse në çdo stinë, nga bardhësia sunduese e dimrit tek gjelbërimi i lartë i verës, me ngjyrat e pafundme të pranverës e të vjeshtës, “Shtëpia e Gjuetarit” mikpret vizitorë në të 12 muajt e vitit”, shkruan Rama.

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version