Agjencia Telegrafike Shqiptare

MAL I ZI – Abazoviç për “Open Balkan”: Pro bashkëpunimit rajonal

PODGORICË, 30 maj /ATSH/- Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar  lidhur me ftesën për t’iu bashkuar takimit të radhës të nismës “Open Balkan” që do të zhvillohet në Ohër.

Abazoviç ka sqaruar se në këtë takim do të shkojë si i ftuar, duke mbështetur hyrjen e Malit të Zi.

“Ne nuk do të shkojmë në Ohër për t’u anëtarësuar në “Open Balkan”. Ne po shkojmë si vëzhgues, do të shqyrtojmë çfarë është e mirë për vendin tonë, nëse çdo gjë është në rregull, nuk e përjashtoj mundësinë për t’iu bashkuar “Open Balkan”, tha ai.

Ndër të tjera, ai shtoi se çdo bashkëpunim rajonal është i pranueshëm për të.

“Mali i Zi është pro anëtarësimit në nismën “Ballkani i Hapur”, deklaroi ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviç.

Më herët, Duroviç u takua me homologun e tij serb në Beograd. “Çdo iniciativë që çon në heqjen e barrierave, lëvizjen më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, do të pranohet në Mal të Zi”, tha Gjuroviç pas takimit.

“Ne ramë dakord se prania dhe mbështetja e Malit të Zi në atë iniciativë është shumë e rëndësishme”, tha në një deklaratë ministrja serbe e Turizmit, Tatjana Matiç.

Konfirmimi i Gjuroviç vjen pasi kryeministri i Malit të Zi, i emëruar së fundmi, Dritan Abazoviç pranoi ftesën për të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të iniciativës në Ohër.

Abazoviç u ftua në samit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Të tre liderët, së bashku me Abazoviç, do të takohen në Maqedoninë e Veriut më 7-8 qershor për të diskutuar të ardhmen e nismës, me fokus standardizimin e lejeve të punës.

Nisma “Open Balkan” u lançua në tetor 2019 nga liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo synon krijimin e një zone pa pengesa për lëvizjen e mallrave, banorëve dhe kapitalit.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë refuzuar t’i bashkohen nismës deri më tani, pasi besojnë se kjo mund të ndikojë në rrugën drejt BE-së dhe Procesit të Berlinit. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version