Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sako: Java e turizmit në Durrës, ftesë për sezonin

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Bashkia e Durrësit nga 3-8 maj po organizon në qytetin bregdetar një sërë aktivitetesh kulturore e sportive në kuadër të javës së turizmit.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha sot se “Durrësi është kryeqyteti i turizmit dhe në këtë javë të turizmit që shënon çeljen e sezonit turistik kemi organizuar aktivitete sportive e kulturore të përditshme”.

Sipas saj, të rinjtë në aktivitetet e shumta sportive përgjatë bregdetit të mrekullueshëm të Durrësit, i cili ofron një turizëm bregdetar të paharrueshëm.

Po kështu në mbrëmje vijojnë aktivitetet kulturore ku qytetarët dhe vizitorët e shumtë argëtohen nën tingujt e muzikës nga këngëtarë e DJ të njohur.

Në koncertin e mbrëmjes së djeshme në bulevardin Epidamn ishte e ftuar një nga këngëtaret më të njohura të vendit, Eneda Tarifa dhe me pjesëmarrjen e Dj. Hypemuji dhe Dj. Divino.

Kryebashkiakja Sako ftoi të gjithë qytetarët vendas të kalojnë pushimet në Durrës.

“Ju ftoj të gjithëve të kaloni pushime të paharrueshme në qytetin e Durrësit, aty ku deti lag antikitetin”, tha Sako.

Gjatë ditës së sotme në Durrës do të zhvillohen aktivitete sportive, nesër do të zhvillohen lojëra të organizuara nga gjimnazet e qytetit, në datën 6 maj aktivitete në bregdet, në 7 maj aktivitete sportive, ndërsa në 8 maj do të hapet ekspozita “Metamorfoza palstike” në galerinë “Nikolet Vasia”, si dhe një konkurs me skulptura rëre.

Qyteti bregdetar i Durrësit është një nga më të preferuarit e turistëve vendas e të huaj  gjatë sezonit veror. Durrësi mirëpret gjithashtu gjatë verës edhe kroçerat luksoze me turistë të huaj që vizitojnë vendin tonë si një nga destinacionet e preferuara turistike.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version