Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ulet numri i aksidenteve rrugore

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Ulet numri i aksidenteve rrugore.

Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në muajin mars të këtij viti, numërohen 101 aksidente rrugore nga 119 aksidente të ndodhura në muajin mars 2021, duke shënuar një rënie me 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

INSTAT bën të ditur se, “në tremujorin e parë të vitit 2022 u shënuan 285 aksidente rrugore nga 323 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11,8 %. Në muajin mars 2022, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 145 persona nga 150 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në tremujorin e parë të vitit 2022, numri i të aksidentuarve është 392 persona nga 418 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkak kryesor për aksidentet në shumicën e rasteve mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve ndërkohë që sipas INSTAT vihet re një ulje e numrit të aksidenteve që kanë si shkak sjelljen e këmbësorëve.

“Në muajin mars 2022, aksidentet rrugore, në 93,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 29,7 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grupmoshë janë ulur me 3,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, aksidentet rrugore, në 12,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 43,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, vlerëson INSTAT.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version