Agjencia Telegrafike Shqiptare

Policia e Shtetit kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e 5 personave më të kërkuar

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Policia e Shtetit kërkoi sot bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës.

Bëhet fjalë për Talo Çela, Laert Haxhiu, Jani Alia, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi.

Në njoftim thuhet se, Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kryesisht të atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Falë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me qytetarët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë kapur dhjetëra persona në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe në kuadër të krimit të organizuar, bën të ditur Policia.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe kërkon sërish bashkëpunimin e tyre për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës, konkretisht të shtetasve: Talo Çela, Laert Haxhiu, Jani Alia, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi.

Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.

Policia thekson se, cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version