Agjencia Telegrafike Shqiptare

COVID-19 – Greqia heq certifikatën e vaksinimit

ATHINË, 13 prill /ATSH-ANA/ – Jeta në Greqi do t’i kthehet normalitetit duke filluar nga 1 maji, deklaroi ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris.

Konkretisht, nga data 1 maj deri më 31 gusht, nuk do të jetë e nevojshme të tregohet një certifikatë e vaksinimit ose shërimit nga Covid-19.

Dispozita do të rishikohet më 1 shtator.

Megjithatë, përdorimi i maskave mbetet i detyrueshëm për zonat e brendshme deri më 31 maj.

Më tej, duke filluar nga 1 maji dhe pikërisht nga data 3 maj, kur shkollat ​​do të rihapen pas festave të Pashkëve, nxënësit do të kthehen në shkollë pa autotest.

Nga data 1 maj deri më 30 gusht, të gjitha kufizimet në numrin e klientëve në lokacione janë hequr dhe ata mund të funksionojnë me kapacitet 100%.

Edhe kjo masë do të rishikohet më 1 shtator.

Lidhur me festat e Pashkëve, ai tha se ato do të festohen me masat në fuqi, ndërsa përdorimi i maskës rekomandohet edhe në hapësirat e jashtme.

Plevris tha se të gjitha shërbesat fetare normalisht do të mbahen për herë të parë që nga fillimi i pandemisë./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version