TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka foli sot në përfundim të Kongresit të Partisë Socialiste për progres në politikën e jashtme dhe procesin e integrimit.
Duke folur për punimet në panelin e dedikuar politikës së jashtme dhe sigurisë, Xhaçka tha se ishte një panel mbarëkombëtar ky morën pjesë përfaqësues të partive politike nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Presheva.
“Qëllon të kemi edhe dallime ideologjike, por na bashkon diçka shumë më e rëndësishme, vizioni i përbashkët për një të ardhme të përkufizuar nga bashkëpunimi e shkëmbimet pa kufij e pa pengesa mes nesh, në një rajon në paqe e që punon për integrimi euro-atlantik”, tha Xhaçka.
Ministrja tha se politika e jashtme shqiptare po përjeton sot një moment të paprecedentë suksesesh e arritjes.
“Presidenca e suksesshme e OSBE apo puna që po bëjmë në Këshillin e Sigurimit, sidomos me dosjen e Ukrainës, e kanë rritur shumë profilin ndërkombëtar të Shqipërisë. Dy nga momentet më të rëndësishme të kësaj pune janë dy rezolutat e miratuara në Asamblenë e Përgjithshme, njëra prej të cilave pardje, solli përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Dua të përmend po ashtu punën për themelimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën, që do të punojë për mbledhjen e provave për krimet e luftës të kryera nga ushtria ruse”, tha ajo.
Sipas saj, progres është bërë edhe në procesin e integrimit, ku në fakt arritjet kryesore i detyrohen reformave të gjithanshme modernizuese e europianizuese që ka përjetuar vendi gjatë dy mandateve tona të para.
“Por edhe për sa i përket politikës së jashtme, linjëzimi 100% me politikën e jashtme të BE dhe roli aktiv që po zhvillon Shqipëria në OKB në funksion të avancimit të prioriteteve dhe interesave tona të përbashkëta kanë bërë që vendi ynë të fitojë respektin e partnerëve. Fushata e lobimit nga ana tjetër ka vazhduar me forcë e intensitet dhe me një vetëbesim të ri për të avancuar procesin e integrimit në rajonit, duke bërë që e Shqipërisë të njihen sot edhe nga ato vende që deri dje ishin më skeptiket lidhur me progresin tonë”, tha ministrja.
Një situatë e ngjashme, vuri në dukje ajo, është edhe në fushën e sigurisë, veçanërisht në NATO ku vendi ynë në mënyrë të përsëritur kontribuon përtej asaj që pritet prej nesh, apo tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale me partnerët strategjikë veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, partneriteti me të cilat është duke njohur një thellim të paprecedentë në çdo fushë.
“E bëra këtë pasqyrë për të treguar që ky është një moment vërtet për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ku protagonizmi, por edhe aksesi ynë kanë pësuar një rritje të paprecedentë duke krijuar mundësi shumë të mira për të çuar përpara disa nga objektivat madhore të vendit tonë dhe të shqiptarëve në tërësi. Kjo ishte një nga arsyet përse ftuam në këtë panel përfaqësues nga e gjithë hapësira shqiptare, për të diskutuar sesi mund ta shfrytëzojmë këtë moment së bashku, për të çuar përpara tri objektiva madhore të të gjithë hapësirës shqiptare, avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, pra në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e Presheve, avancimin e njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, dhe integrimin qoftë në aspektin rajonal, qoftë në atë euro-atlantik”, u shpreh Xhaçka.
Sipas saj, këto prioritete marrin sot një sens të ri urgjence, për shkak të situatës së vështirë që ka krijuar për të gjithë botën lufta në Ukrainë.
“Është një luftë kriminale, mizore, e paligjshme që ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar dhe të arkitekturës së sigurisë në hapësirën euro-atlantike, por është një luftë pasijat e së cilës ndihen realisht në çdo aspekt të jetës, duke filluar natyrisht nga ekonomia, kombëtare dhe familjare, ku janë krijuar vështirësi për shkak të rritjes së çmimeve që ka prodhuar çrregullimi i zinxhirëve të prodhimit e furnizimit me lëndë ushqimore, lëndë të para për industrinë e ndërtimin dhe me energji”, theksoi ministrja.
Ministrja theksoi më tej, edhe se nuk duhet harruar që në rajonin tonë situata është akoma më delikate, pasi siç dihet Ballkani Perëndimor ka qenë prej kohësh në shënjestër të përpjekjeve të Rusisë për të shkaktuar tensione e konflikt e për të sabotuar proceset integruese, si një mënyrë për të kërcënuar sigurinë e stabilitetin e Europës.
“Pra përpara nesh në këtë situatë shtrohen dy pyetje, përgjigjen e njërës prej të cilave e kemi ne në dorë. Pyetja e parë që në një masë të madhe nuk varet nga ne, është çfarë do të bëjë Europa në rajonin tonë. Situata është e thjeshtë dhe tanimë duket qartë. Amullia në procesin e integrimit, mungesa e vëmendjes dhe erodimi i kredibilitetit të ëndrrës europiane krijon më shumë hapësira për depërtimin e Rusisë e fuqive të tjera. Por besoj që edhe pse jo me shpejtësinë e dëshiruar, Europa po fillon të kuptojë që kosto e mosveprimit është ku e ku më e lartë sesa ajo e integrimit? Këtë ende nuk e dimë. Jemi në pritje dhe kur bëhet fjalë për të pritur BE të veprojë nganjëherë situata kthehet në një version gjeopolitik të pritjes për Godonë. Pyetja e dytë, është çfarë do të bëjmë ne, Shqipëria por edhe shqiptarët për të përshpejtuar proceset integruese? Përgjigja e kësaj pyetje ka sot ka një rëndësi shumë të madhe edhe për mbarë rajonin e rrjedhimisht për BE, sepse shqiptarët janë faktori më i rëndësishëm i stabilitetit rajonal dhe garantët kryesorë të orientimit Euro-Atlantik të rajonit. Dhe se çfarë bëjnë shqiptarët e kemi ne në dorë”, deklaroi ajo.
Ministrja tha se së pari, na duhet ta kuptojmë që si çdo krizë, edhe kjo ka brenda oportunitete, të cilat duhet të dimë t’i shfrytëzojmë.
“Ne e dimë çfarë duam dhe e dimë që lufta në Ukrainë dhe ndërgjegjësimi i Europës për natyrën e vërtetë të regjimit të Putin dhe lojës së tij në Ballkan, u jep më shumë forcë argumenteve tona për nevojën e një qasje strategjike të Europës ndaj Ballkanit Perëndimor’, yha Xhaçka.
Prandaj, theksoi ajo, krahas reformave të brendshme integruese, puna e politikës sonë të jashtme do të përqëndrohet në tri drejtime kryesore të cilat janë pjesë e një strategjie integrale për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Linja e parë, kërkimi me forcë i mbajtjes së fjalës së dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave dhe Kosovës për liberalizimin e vizave, por këtë herë në kontekstin e një qasje strategjike, të vendosur dhe gjithëpërfshirëse ndaj rajonit në tërësi, pra duke ushtruar të gjithë peshën e tyre gjeopolitike, bashkë me Shtetet e Bashkuara për t’ju dhënë fund paqartësive e situatave të rrezikshme si ajo në Bosnje e Hercegovinë, apo në dialogun mes Prishtinës e Beogradit. Një qasje pjesë e të cilës duhet të jetë edhe përfshirja e rajonit në prioritetet strategjike të NATO dhe forcimi i partneritetit të NATO me Kosovën. Së dyti, forcimi dhe rritja e efikasitetit të dialogut mes shqiptarëve për të folur si një zë i vetëm në mbështetje të proceseve integruese e për të krijuar sinergji mes nesh. Jemi të vetëdijshëm që ky është një ushtrim që do të kërkojë shumë punë e përkushtim, por ky është dhe mbetet një objektiv themelor për Shqipërinë si interlokutori dhe partneri kryesor i Perëndimit në rajon. Është një bashkëpunim që duhet të përfshijë çdo fushë e çdo sektor dhe i cili tashmë ka bërë hapa të konsiderueshme pas mbledhjes së nëntorit mes qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Forume të përbashkëta si ai në kongres sot, do të bëhen periodike dhe të rregullta. Së treti, bashkëpunimi rajonal. Ne duam një rajon pa kufij mes shqiptarëve, por jemi të vetëdijshëm që kjo mund të arrihet vetëm në kontekstin e një transformimi të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me çdo vend të rajonit. Kufijtë mes shqiptarëve mund të hiqen vetëm duke hequr fare kufijtë mes të 6 vendeve të rajonit dhe duke gjetur mes nesh gjuhën e bashkëpunimit e shkëmbimeve, ashtu siç bëri BE në zanafillën e saj. Dhe në këtë kontekst, nisma Ballkani i Hapur si një mekanizëm përshpejtues i proceseve integruese të Berlinit është instrumenti ynë kryesor. Puna jonë do të konsistojë në dialogimin sa më intensiv me të gjithë ata faktorë që ende kanë shqetësime apo dyshime për ketë nismë. Këto janë objektivat themelore të politikës sonë të jashtme, dhe çdo punë që ne bëjmë, qoftë në Këshillin e Sigurimit, qoftë në NATO, qoftë në rajon, qoftë në BE, qoftë në marrëdhënie dypalëshe, në fund çon ujë tek përmbushja e këtyre objektivave që na afrojnë me të ardhmen që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe të mbarë rajonit”, deklaroi Xhaçka.
