TIRANË, 8 prill /ATSH/ Turizmi, në vizionin e qeverisë, shihet si sektori që do të mbështesë dhe nxisë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim e më shumë të ardhura.
Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e së premtes pamje nga një prej investimeve më moderne në hoteleri, i cili ofron 80 vende pune si fillim.
“Çel dyert në Tiranë hoteli me 5 yje Radisson Collection, një investim i shkëlqyer, 80 vende pune si fillim, paga minimale 70 mijë lek (të reja natyrisht)”, u shpreh Rama.
Vitet e fundit, investimet në turizëm po përfshijnë edhe projekte elitare, por edhe ato në agroturizëm që po zhvillohen më së shumti. Këto investime janë nxitur nga lehtësitë fiskale por edhe të kreditimit.
Për të stimuluar investimet në këtë sektor, qeveria ka hartuar edhe një kuadër ligjor e fiskal favorizues krahas investimeve strategjike në infrastrukturë.
Ligji “Për Turizmin” ofron stimuj shumë konkurrues për investitorët e huaj.
Ligji ofron një varg ndryshimesh për sektorin e turizmit në Shqipëri, duke synuar ta shndërrojë atë në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vitet e ardhshme.
Krahas kësaj, ofron taksa konkuruese. TVSH për strukturat akomoduese në turizëm është 6%.
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një vend tërheqës për turistët dhe vizitorët e ndryshëm që vijnë nga gjithë bota, teksa për investitorët, Shqipëria është një treg atraktiv në rritje.
