LOS ANXHELOS, 2 prill /ATSH-DPA/- Pesë ditë pas shuplakës ndaj prezantuesit Chris Rock live në televizion, fituesi i çmimit “Oscar” Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, në Hollivud.
Në letrën e dorëheqjes, e siguruar nga “Los Angeles Times” Smith i kërkon falje jo vetëm komedianit Rock, por edhe kandidatëve dhe fituesve të tjerë, pjesëmarrës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”.
“Lista e atyre që kam lënduar është e gjatë, dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që ishin të pranishëm dhe audiencën globale që na ndiqte nga shtëpia”, thuhet në deklaratë.
“Unë kam thyer besimin e Akademisë. I privova kandidatët dhe fituesit e tjerë nga mundësia e tyre për të festuar dhe për t’u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ndihem zemërthyer”, shtoi Smith.
Dorëheqja e tij do të thotë se aktori humbet të drejtën e votës, por ende mund të nominohet për një çmim Oscar. //a.i/
