Agjencia Telegrafike Shqiptare

Balla: Qeveria po mbulon 80 % të faturës së energjisë për familjarët

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se falë paketës së rezistencës të miratuar nga qeveria, çmimi i energjisë ndryshe nga vendet e Europës nuk është rritur dhe se shteti mbulon 80% të faturës.

“Europa është në një luftë. Një agresion pa asnjë arsye ka sulmuar një vend demokratik dhe lufta me Ukrainën ka sjellë rrije të çmimeve të shumë produkteve. Në pjesën më të madhe të Ukrainës nuk po prodhohet më. Jo më larg se dje po komunikoja me miqtë e mi në Itali dhe atje po funksionon me racion blerja e vajit vegjetal. Pyetja po shtohet kush po proteston? Do i thoja miqësisht se nëse kudo në Europë protestohet per solidaritet me popullin e Ukrainës, këtu protestohet diçka që nuk ka ndodhur në mbarë botën, për rritjen e çmimeve. Ne mund të jemi ndër të paktat qeveri që ka gjetur mekanizmin për të ndërhyrë”, tha Balla gjatë një interviste në një media.

Sipas tij, qeveria ka gjetur mekanizmin ligjor për të ndërhyrë dhe caktuar disa limite të fitimit dhe për të stopuar abuzimin nga ata që kanë fuqi dominuese.

Lidhur me çmimin e energjisë, Balla tha se qeveria vendosi 28 miliardë lekë për të subvencionuar çmimin për konsumatorët familjarë.

“Me energji elektrike po furnizohet çdo familje shqiptare. E vërteta është se çmimi është rritur me 10 herë në bursa për energjinë, ndërsa ne e faturojmë njëlloj. Sot shteti paguan 80% të faturës së energjisë për familjarët. Ne kemi marrë një vendim, që është një vendim i fortë, pasi ka kosto të lartë. 28 miliardë lekë janë vendosur për të subvencionuar energjinë, garancia e shtetit për të mos rënduar çmimin e energjisë të konsumatori familjar”, tha Balla.

Ndërkohë retorikës për heqjen e taksës së naftës, Balla tha se qeveria po subvencionon kompanitë për të mbajtur çmimin e transportit publik të pandryshuar.

Balla tha se nëse çmimet vijojnë me këtë nivel është e pamundur që shteti të vazhdojë ta përballojë.

“PS ka një angazhim, ata që paguhen më pak, paguajnë më pak e ata që paguhen më shumë, paguajnë më shumë. Qeveria do të fillojë të përllogarisë se cili është ai nivel page, pasi nëse çmimet vijojnë me këtë nivel është e pamundur që shteti të vazhdojë ta përballojë. Për të gjithë fashën e pensionistëve me ndihmë ekonomike nuk bëhet fjalë që të preken”, tha Balla.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version