TIRANË, 23 mars /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, për asnjë moment nuk janë lënë pas dore projektet, reformat dhe axhenda që ka qenë e parashikuar në sektorin energjetik.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë, Balluku nënvizoi se, “sot po menaxhojmë një nga krizat më të vështira, të ardhur për shkak të situatës gjeopolitike, e cila ka prekur mbarë botën dhe jo vetëm Shqipërinë. Por nga ana tjetër, një fakt që duhet thënë dhe duhet nënvizuar është që për asnjë moment ne nuk kemi lënë mënjanë axhendën tonë për sa i përket të gjitha projekteve, të gjithë planeve dhe reformave, që ne kemi vendosur edhe përpara se kjo krizë të niste”.
Kështu që, shtoi Balluku, “patjetër ne vazhdojmë dhe mirëmbajmë rrjetin, pavarësisht se ky është viti i tretë radhazi që ne i kemi ngurtësuar investimet, por pa dyshim ne jemi duke bërë një analizë të thelluar, së bashku me OSHEE-në, së bashku me drejtorinë e Përgjithshme të Energjisë këtu në MIE, për të pasur një pasqyrë të qartë të situatës dhe për t’i dhënë prioritet atyre investimeve që duhet të vazhdojnë dhe s’duhet të ndalen”.
“Është e drejtë kur thuhet, ju keni pasur një target 16 % humbje, të cilin ne e kemi rishikuar pikërisht për shkak të krizës pas tërmetit dhe pandemisë dhe e kemi vendosur rreth 19 %. Megjithatë duhet theksuar që ndryshimi nga viti 2013, kur më shumë se gjysma e energjisë shkonte në humbje, pra 45 % apo më shumë, në disa zona ka qenë edhe 70 % energjia humbte. Sot kemi zona në Shqipëri ku janë bërë investime. Po përmend Kombinatin në këtë rast, që ka një nga nënstacionet më moderne, ku humbja është vetëm 4 %. Pra është edhe nën nivelin evropian”, tha Balluku.
Ministrja shtoi se, “pa dyshim që do të vazhdojmë me këto investime. Zona e jugut është një nga zonat më të rëndësishme, pasi ndodhemi para sezonit dhe askush nga ne nuk e mohon dot faktin që në atë zonë investohet nga sektori privat intensivisht. Janë rritur kapacitetet e shtretërve dhe sigurisht ne duhet t’i përgjigjemi asaj zone me kapacitete energjetike”.
“Ne po analizojmë prioritetet. Do të vazhdojmë të bëjmë mirëmbajtjen e rrjetit dhe do të investojmë aty ku është e nevojshme dhe e domosdoshme që të vazhdojë investimi. Rëndësi ka që shërbimi të jetë i qëndrueshëm, qytetarët të mos kenë ndërprerje”, theksoi Balluku.
“Ne po menaxhojmë krizën. Po mbrojmë qytetarët tanë nga ekspozimi në çmimet e çmendura që sot tregu ka. Por për asnjë moment nuk kemi lënë pas dore projektet e reformat dhe axhendën që ne kemi pasur të parashikuar për të pasur në sektorin energjetik”, nënvizoi Balluku.
/r.e/
