TIRANË, 12 mars/ATSH/ Rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës, e ndikuar nga lufta në Ukrainë, ka sjellë reagimin qytetar me protesta në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
Protesta e organizuar nga organizata të shoqërisë civile ka hyrë sot në ditën e katërt, ndërsa qytetarët janë mbledhur sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë selisë së Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.
Në kryeqytet protestuesit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, dhe më pas vijuan marshimin drejt kryeministrisë.
Me pankarta në duar, ata bënë thirrje për masa për uljen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Të vendosur për të vijuar protestat deri në marrjen e një zgjidhjeje, folësit nga shoqëria civile janë shprehur se “kjo është protestë për dinjitetin e shqiptarëve, dhe jo për karrige e pushtet”.
Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci tha se “kërkojmë çmim tavan, heqje taksash, thyerje monopolesh, kontroll mbi burimet dhe të aktivizohet një kompani që konkurron në treg”.
Aktori Florian Binaj u shpreh se “jemi sot këtu për njëri-tjetrin, për ata që nuk marrin ata që meritojnë, për ata që kanë lënë vendin, se nuk ka vend për profesionistët. Jemi sot këtu për ata që punojnë me dinjitet e jetojnë në mizerje. Jemi për fëmijët tanë”.
Në përfundim të protestës pas dy orësh përballë Kryeministrisë, ata kanë lajmëruar se do të mblidhen sërish ditën e nesërme ku do të nisin marshimin te Sheshi “Skënderbej” në orën 11:00 për të mbërritur sërish para Kryeministrisë.
Ndërkohë protesta ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit.
Po ashtu qytetarët protestuan sot edhe në Pogradec e Berat.
/m.m/
