Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit: Nga 12-15 mars çmimi i naftës 217 lekë

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit vendosi sot që çmimi i shitjes me pakicë të naftës për periudhën 12-15 mars të jetë 217 lekë/litri.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre”.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjëherë Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas  Aktit Normativ Bordi vendosi:

1. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
3. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Bordi i Transparancës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15 mars me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version