Agjencia Telegrafike Shqiptare

Studentët protestë për rritjen e çmimeve

TIRANË, 11 mars /ATSH – I. Vata/ Studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë nisur sot një protestë paqësore kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore.

Me thirrjet “fikni makinat, bashkohuni me ne”, studentët kanë nisur në këmbë marshimin nga Universiteti Bujqësor drejt Tiranës, derisa u përqendruan përballë godinës së Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Më pas studentët janë ndalur në qendër të Tiranës në sheshin “Skënderbej”, ku komunikuan se do t’i bashkohen protestës së orës 17:00.

Ndërkohë, policia u ka kërkuar protestuesve që të qëndrojnë vetëm në një korsi, në mënyrë të tillë që të mos bllokohet qarkullimi i mjeteve.

Edhe studentët e Universitetit “Fan Noli” në Korçë janë ngritur sot në protestë, ndërsa kërkuan uljen e çmimit të karburantit dhe të produkteve të tjera.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version