TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/ Nën kujdesin e Kryetares Lindita Nikolla, Kuvendi i Shqipërisë dhe Rrjeti Shqiptar i Grave në Shkencë organizuan sot Tryezën “Bashkë me ILO kundër Dhunës”.
Tryeza u zhvillua në kuadrin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, dhe të zbatimit të Konventës 190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës “Për dhunën dhe ngacmimin”, ratifikuar nga Kuvendi më 3 shkurt 2022.
Në Tryezë morën pjesë deputete, anëtare të Rrjetit Shqiptar të Grave në Shkencë, përfaqësuese të ILO-s, juriste të njohura, përfaqësuese të shoqërisë civile etj. Ishte e pranishme dhe përshëndeti edhe Përfaqësuesja Rezidente e OKB-së në Shqipëri, Fiona Mccluney.
Tryeza u fokusua në luftën kundër dhunës dhe ngacmimeve në botën e punës. Ekspertet diskutuan mbi standardet e Konventës 190 të ILO-s “Për dhunën dhe ngacmimin” zbatimin e tyre në legjislacionin shqiptar dhe tregun e marrëdhëniet e punës në Shqipëri si edhe ndikimin e Konventës në përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në përgjithësi dhe në mjediset dhe vendin e punës në veçanti.
Në fjalën e saj në këtë aktivitet, Kryetarja e Kuvendit, Nikolla u përqendrua në dy çështje: ngushtimin e pabarazisë gjinore dhe luftën kundër dhunës e ngacmimeve me bazë gjinore në marrëdhëniet dhe vendin e punës.
“Pavarësisht nuancave në vende të ndryshme, e vërteta është se kudo gratë janë më në periferi të shoqërisë, më pak të përfaqësuara, me më pak akses, burime dhe më pak përfituese të investimeve të shoqërisë se burrat. Pjesëmarrja e grave në zhvillimin shoqëror është asimetrike me pjesëmarrjen e burrave. Por asimetria konstatohet edhe brenda aspekteve të zhvillimit. Gratë dhe vajzat kanë akses dhe kontribute të pabarabarta në fusha të caktuara të ekonomisë, teknologjisë, industrive apo jetës politike e shoqërore.Kërkimi shkencor dhe sipërmarrja janë meritokratike dhe nuk mund të bëhen as me dekrete, as me korsi promovuese e preferenciale, siç ne kemi bërë në disa aspekte të tjera, si në përfaqësimin politik, legjislativ dhe bashkiak. Por megjithatë, fakt është se midis arritjeve në veprimtarinë akademike dhe kërkimin shkencor dhe treguesve në nivelet drejtuese të këtyre fushave ka ende një disnivel, i cili shkaktohet nga mosvëmendja e shoqërisë dhe mungesa e mekanizmave për njohjen e kredencialeve drejtuese të grave. Mjediset akademike e shkencore duhet të bëhen më produktivë dhe një rrugë drejt rritjes së produktivitetit është fuqizimi i lidershipit të grave. Mjediset akademike e shkencore duhet të emancipohen më shumë dhe një rrugë drejt emancipimit është fuqizimi i lidershipit të grave”, nënvizoi Nikolla.
Ndërsa në lidhje me luftën kundër dhunës në vendin e punës, Nikolla u shpreh se “Shqipëria është ndër të parat shtete që e kanë ratifikuar Konventën 190 të ILO-s, duke dëshmuar sensibilitet të lartë në mbrojtjen e grave dhe vajzave në tregun e punës. Ratifikimi i Konventës 190 të ILO-s nxit përgjegjësinënë luftën kundër dhunës e ngacmimit në botën e punës dhe parashikon rritjen e kapaciteteve të strukturave parandaluese, inspektuese, monitoruese e ndëshkuese, duke e trajtuar dhunën dhe ngacimimin në vendin e punës jo vetëm si një formë pabarazie në treg, por edhe si një kërcënim kërcënim për sigurinë dhe shëndetin publik. Treguesit e pabarazisë së njohurive, të ardhurave, kohës dhe punës, dëshmojnë hendek të theksuar gjinor. Shqetësimi im është se këta tregues janë të lidhur me dukuri më serioze në tregun e punës siç është segregimi gjinor. Disa tregues të segregimit gjinor janë niveli më i ulët i punësimit, rreth 14 për qind, niveli më i lartë i papunësisë, rreth 2.5 për qind dhe diferenca ende e theksuar në paga e grave, rreth 6.6 për qind. Këto të dhëna tregojnë se pabarazia është ngushtuar dukshëm në përfaqësimin politik, por është ende e theksuar në sektorët e tjerë. Ngushtimi i pabarazisë, dhe kufizimi i dhunës, si një derivat i saj, nuk mund të arrihen vetëm duke krijuar mekanizma e korsi preferenciale, por kërkojnë një lidership adaptiv në shoqëri, sidomos në sistemin ekonomik dhe në tregjet.”
/r.e/
