Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sting: Ndaloni luftën!

LONDËR, 6 mars /ATSH/ – Këngëtari i njohur i pop-it, Sting është zëri i fundit i aradhës së artistëve të famshëm të botës që ka reaguar për luftën në Ukrainë.

Këngëtari britanik ka postuar një video në Instagram të këngës së tij “Russian”, të cilën e ka shkruar kundër Luftës së Ftohtë, në vitin 1985.

Sting shkruan në profilin e tij se nuk i pëlqen ta këndojë këtë këngë dhe e bën shumë rrallë, por tani mendon se është e drejtë ta propozojë përsëri, pasi do të ishte sërish aktuale.

”Në dritën e vendimit të përgjakshëm dhe të gabuar të një njeriu për të pushtuar një fqinj paqësor, jokërcënues, kënga është, edhe një herë, një lutje për njerëzimin tonë të përbashkët. Ky pasazh është për ukrainasit e guximshëm që luftojnë kundër kësaj tiranie brutale dhe gjithashtu për shumë rusë që protestojnë kundër kësaj egërsie, pavarësisht kërcënimit me arrestim dhe burgim. Ne të gjithë i duam fëmijët tanë. Ndaloni luftën”, shkruan Sting./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version