TIRANË, 6 mars/ATSH/ Në Durrës qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe procesi po vijon pa probleme për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Në garë për kryetar bashkie janë Emiriana Sako nga Partia Socialiste, Luan Hoti nga Partia Demokratike dhe Ardian Muka nga ‘Shtëpia e Lirisë’.
I pari në radhët e kandidatëve që ka votuar ka qenë kandidati i PD-së Luan Hoti, i cili në fjalën e tij u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin pjesë në zgjedhje.
Në Durrës, nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 262 019 shtetas shqiptarë, mes të cilëve, 4008 votojnë për herë të parë. Janë 3386 votues më shumë se më 25 prill. Po kështu janë 337 QV dhe
4 ZAZ.
654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.
