Agjencia Telegrafike Shqiptare

Çupi: PD, padi në SPAK për kryetarin e bashkisë Fier

TIRANË, 3 mars/ATSH – I. Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi deklaroi sot se PD depozitoi kallëzim penal në SPAK për kryetarin e bashkisë Fier, Armando Subashi.

Në një konferencë për mediet, Çupi theksoi se fakteve nuk mund t’u shpëtojë askush.

“Letrat flasin dhe ato tregojnë që një nga personat me përgjegjësi penale në këtë aferë është kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi. Kryebashkiaku i Fierit, me disa shkelje të rënda të ligjit ka shkaktuar miliona euro dëm ekonomik, duke favorizuar në disa forma kontratën korruptive koncesionare për ndërtimin e incineratorit të Fierit. Ky është një nga rastet më flagrante, pasi incineratori i Fierit nisi të merrte pagesa nga qeveria akoma pa nisur ndërtimin dhe akoma pa u përcaktuar se ku do të ndërtohej. Kryebashkiaku i Fierit ka përgjegjësi direkte për ndryshimin 3 herë të vendit për ndërtimin e inceneratorit: Nga fshati Plyk, pastaj në Mbyet dhe më pas në Mbrostar, është një vendim i pajustifikuar që u kushtoi qytetarëve 460 milionë lekë. Në vend që të zgjidhte një pronë shtetërore, pa kosto, Armando Subashi e vuri gishtin tek një tokë private me pronar, shpronësimi i të cilës kushtoi 460 milionë lekë”, tha ajo.

Po ashtu, Çupi shtoi se Armando Subashi nuk u dha dot përgjigje disa pyetjeve thelbësore në komisionin hetimor.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version