Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shpërndahen çelësat e apartamenteve në Laç

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Nisi sot shpërndarja e çelësave të apartamenteve në Laç.
Lajmin e bëri të ditur kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Shqalsi Cara, e cila ishte e pranishme në dorëzimin e çelësave tek banorët e kësaj zone.

“Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 84, datë 09.02.2022, nisëm sot shpërndarjen e çelësave të apartamenteve të zonës 1/1 për zhvillim (blloku B, sipas tipologjive dhe adresave, të përcaktuara në shortin publik të zhvilluar ditë më parë”, tha ajo.

Kryebashkiakja theksoi se, “ndërkohë që familjet sistemohen në apartamentet e reja, do të vijojmë me procedurat e nënshkrimit të kontratave të dhurimit nga bashkia Kurbin tek përfituesit”.

“Shumë e gëzuar për çdo familje që tashmë do të ketë mundësinë të jetojnë në shtëpi shumë herë më të bukura e më të sigurta se ato që kanë patur përpara dhe me ambiente të përbashkëta shumë herë më të mëdha e funksionale”, u shpreh ajo.

Programi i Rindërtimit investoi në ngritjen e lagjes së re qendrore të qytetit të Laçit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version