TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë zbukuruar Voskopojën, fshatin turistik që tërheq në çdo stinë turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Voskopoja, që e njohur për bukurinë e saj nën petkun e bardhë në këto dimri mbushet me të apasionuarit pas dëborës.
“Mirëmëngjes dhe me Voskopojën që duket si përrallë, ju uroj një fundjavë të qetë”, tha Rama.
Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës Ballkanike dhe Europiane.
E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.
Në fshatin turistik të Voskopojës, përveç bukurisë, argëtimit me dëborën shijohen edhe gatime tradicionale si lakrorët e ushqime të tjera me produkte bio të prodhuara në fshat.
/k.s/j.p/
