Agjencia Telegrafike Shqiptare

Balla: Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë hyrë bashkë në një thes

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit Taulant Balla gjatë një takimi me banorët e Kolonjës në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, u shpreh se pas 102 vitesh nga Kongresi i Lushnjës, bashkia e Lushnjës do të drejtohet nga një vajzë lushnjare, Eriselda Sefa.

“Ju falënderoj për mbështetjen e besimin. Të njëjtën gjë kemi marrë edhe më 25 prill. Ajo që dua të ndaj sot me ju, është nevoja që PS të vijojë të qeverisë në qeverisjen vendore të Lushnjës dhe Edi Rama në gjithë këto vite i ka dhënë shumë besim vajzave e grave në qeverisje. Dhe unë mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur, për t’i besuar Eriselda Sefës. Në këto 6 muaj, që Eriselda ka marrë drejtimin e bashkisë, janë dhënë shenja të qarta të një qasjeje shumë pozitive efikase në problematikat që kishte kjo bashki”, theksoi Balla.

Balla u shpreh se “është rritur transparenca, përmirësuar komunikimi me njerëzit”.

“Unë jam vetë dëshmitar i shpejtësisë me të cilën kemi punuar në disa projekte të rëndësishme. Nuk dua që të merrem me dy kandidatët që kemi përballë. Dua të merrem me kandidatët që i kanë vendosur ata. A mendon ndonjë prej jush që është koha sot t’i japim votën Sali Berishës dhe Ilir Metës, që mezi kemi pritur të bëheshin bashkë. Unë personalisht mezi e kam prit këtë ditë, ditë më të bukur nuk ka që Saliun dhe Ilir t’i kesh bashkë në një thes, dhe shembulli më konkret i asaj që nuk duhet të bëjmë ne në Lushnjë, është që nuk duhet të imagjinoni mos dalim në votime, të themi ‘hajt se e kemi të fituar’”, u shpreh Balla.

“Unë mendoj që duhet të bëjmë organizimin më të madh, të trokasim në çdo derë, e t’i themi njerëzve se duhet një referendum i madh në favor të nevojave që ka Kolonja, bashkia Lushnjë dhe Shqipëria në funksion të mbështetjes që duhet t’i japim PS-së”, tha Balla.

Balla shtoi se “ne kemi përzgjedhur një kandidate që ka mësuar nga gabimet e atyre që kanë qenë në të shkuarën, por që ka edhe eksperiencën e duhur për të çuar para projektet e reja që po zbatohen në bashkinë tonë. Ka ardhur koha që qeveria ta ketë bashkinë Lushnjë në krye të punëve të veta. Është koha e duhur për t’i dhënë kësaj bashkie një vajzë, eksperte të qeverisjes vendore”.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version