Agjencia Telegrafike Shqiptare

Doganat, pjesë e programit të KE-së deri në vitin 2027

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me Gerassimos Thomas, drejtor i përgjithshëm për Taksat në Komisionin Evropian, në Bruksel.

Përfaqësuesi i KE, Thomas, mbështeti Doganën Shqiptare, e cila do të jetë pjesë e Programit të ri të DG TAXUD “Programi i Doganave” për periudhën 2021-2027, si vazhdimësi e programit “Dogana 2020”.

Nëpërmjet këtij programi, administratat doganore shqiptare do të vazhdojnë të punojë për t’iu përgjigjur sfidave të tilla si, mbrojtja e interesave financiare dhe ekonomike të BE-së, lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimin, mbështetje e përgjithshme strategjike, forcimi i sigurisë sidomos në porte.

Gazheli, në emër të ADSH, falënderoi Thomas për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vlefshme përmes programeve të Bashkimit Evropian, si “Doganat 2020”, i cili u përmbyll me sukses në nëntor 2021.

Gjithashtu, Gazheli e njohu bashkëbiseduesin me performancën e Doganës Shqiptare, e cila në 2021 që shkoi arriti rekordin në mbledhjen e të ardhurave në vite. Ndërkohë prioritetet për vitin 2022 janë intensifikimi i punës për Projektin (rajonal) të Bankës Botërore “Lehtësimi i Tregtisë në Ballkanin Perëndimor (WBTTFP)”, i cili përfshin dhe “Dritarja e vetme Kombëtare (National Single Window)”, Konventa e Tranzitit të Përbashkët, dhe Sistemi i ri i Kompjuterizuar i Tranzitit – Platforma NCTS.

Një tjetër prioritet i ADSH, në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Evropian, është dhe zhvillimi i moduleve të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Tarifave (ITMS), që parashikon ndërtimin e një Sistemi të Integruar të Menaxhimit të Tarifave plotësisht në përputhje me ITMS të BE-së.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version